Gjenerali amerikan, Wesley Clark, ka theksuar se Serbia duhet të pranojë realitetin e Kosovës dhe të ecë përpara, duke ndaluar tensionet dhe duke pranuar të ardhmen pa përfshirjen e Kosovës. Në një intervistë për emisionin “Real Story”, Clark shprehu krenarinë për rolin që luajti në operacionet që çuan në paqen në Kosovë, duke theksuar se rajoni ka pasur përparim në 25 vitet e fundit.
“Jam shumë i gëzuar që ishim të suksesshëm në sjelljen e paqes dhe demokracisë në Kosovë. Ishte një grup i madh njerëzish përveç nesh, që ishin pjesë e këtij operacioni, grup i madh pune sepse pamë një krim të madh dhe padrejtësi që po kryhej.
Ishte çnjerëzore dhe ne donim që të ndalonte, që njerëzit në rajon të kishin paqe dhe siguri. Për këtë arsye 25 vite më pas rajoni ka qenë përgjithësisht në paqe. Jam krenar për njerëzit në këtë rajon që kanë bërë këtë punë të jashtëzakonshme”, u shpreh gjenerali.
Clark theksoi se krimet dhe spastrimet etnike të ndodhura gjatë periudhës së Millosheviçit janë të pashpjegueshme dhe se Serbia duhet të pranojë faktin që Kosova është e pavarur.
“Nuk më pëlqen të shoh tensione. Të gjithë diplomatët kanë thënë se po punojnë por shpresën që të ketë një zgjedhje, por Serbia duhet të njohë faktet dhe faktet janë që ka pasur krime, vrasje në Kosovë gjatë qeverisjes së Millosheviç.
Ka pasur spastrim etnik si në Bosnje dhe në Kosovë pasi njerëzit janë sulmuar, vrarë, dhe nuk mund të kthehen dhe të jetojnë në paqe shumë thjesht me njëri-tjetrin. Serbia duhet të pranojë Kosovën dhe njerëzit shqiptarë, të pranojë të ardhmen pa Kosovën. Pse të mos kenë marrëdhënie të mira, turizëm dhe tregti me njëri-tjetrin. Të ndalojnë sulmet, e shkuara ka mbaruar.“, shtoi ai