Në seancën e radhës të parlamentit , kryetari i grupit opozitar, Gazmend Bardhi, mes ulërimave të zakonshme dhe gjithnjë pragu i zgjedhjeve është koha e duhur për të ulëritur, lëshoi edhe një akuzë, që, për nga vetë kujdesi që tregoi për të sjellë këtë të dhënë në parlament, merr rëndësi të veçantë dhe nuk mund të kalohet si ato qokat e zakonshme që lëshohen në atë sallë.
Ai u kujdes të theksonte se, ka të dhëna të sigurta, se dy nga drejtuesit e strukturave të larta të shumicës qeverisëse, Erion Veliaj , krye bashkiaku i Tiranës dhe Zëvendëskryeministrja Balluku, të dy, njëra nga njëra anë dhe tjetra në krahun tjetër, kishin porositur dhe paguar vrasës për të eliminuar njëri tjetrin. Është një ndër akuzat q ngjan si ato që herë pas here lëshon shefi i tij politik, por, e thënë nga Bardhi, duhet bërë kujdes. Zakonisht ai flet për gjithçka dhe çdo gjë, që kur, përmes një kompromisi u bë figura e dytë e opozitës, duke rrëmbyer dy poste njëherësh: mallkon, hedh tutje xhaketën, duke u shfaqur si një ndër të fortët e opozitës, krijon dosje, padit për çdo gjë duke bërë kujdes të lërë jashtë duart e tij, pra që të ketë një rrugë e të mos gjykohet një ditë, tërheq turmat, një cikërrimë e bën gjëmë, sheh me përbuzje nga kati i tetë ku është mbyllur shefi i tij, të cilin mezi pret ta linçojë barbarisht, si e nisi një herë, kthehet as, por, asnjëherë, ai nuk ka hedhur në parlament një akuzë të tillë, që kemi të bëjmë me vrasje të profilit të lartë, për të cilët, sipas thënies së tij, ai di çdo gjë, si flasin për njëri tjetrin, e duan apo nuk e duan praninë e sho-shoqit, klimën e krijuar me tyre, hasmëritë, dhe tani, duke u përafruar me fantazitë e sëmura , ka hedhur idenë e tij se , ndoshta jo larg, do të kemi një vrasje të rëndë politike.
Edhe shefi i tij politik e kishte në gjen që të fliste për vrasje, por vetëm kur i rrezikohej pushteti. Bardhi e bëri këtë kur është në opozitë, dhe, mbi të gjitha e di fare mirë se shansi për të ardhur në pushtet është drejt zeros. Me gjithë mëkatet e mëdha të qeverisë Rama, ai është i bindur se rruga drejt pushtetit do të jetë e gjatë, vazhdon të jetë në pritë që dritarja e katit të tetë të mbyllet dhe, përmes një grupi pranë vetes, të ri shfaqur në foltoren e mallkuar dikur, të bëhet, as më pak e as më shumë, një ditë të ardhshme, shefi i opozitës.
Bardhi është njeri i skutave të errëta, i ndërtimit të skemave të fshehta, i rrezikshëm për shtetin, edhe më i rrezikshëm për opozitën, ai është ndër ato figura politike që shfaqen si mallkim i këtij vendi. I ngritur nga hiçi, përmes marrëzive të liderëve politikë të opozitës, që kërkonin shërbëtorë besnikë dhe pa skrupuj, të gatshëm të braktisnin ndërgjegjen, moralin, virtytin. Basha , shefi i tij i dikurshëm, tani është i mallkuari i tij, ndërsa Berisha, i mallkuari i djeshëm është njeriu që gabimisht i ka zënë vendin, por që, tani për tani, i duhet të jetë i përkulur.
E dhëna e Bardhit për vrasje të mundshme duhet marrë seriozisht. Jo se dy drejtuesit e lartë të shumicës qeverisëse kanë bërë plane për të eliminuar njëri tjetrin, por sepse Bardhi vetë është mjeshtër i organizimit të strukturave të jashtë ligjshme, që marrin atribute shtetërore, i japin të drejtën vetes të kthehen në polici politike, të lëvizin të armatosur, dhe, në fund, të vrasin.
Viti 2021 dëshmoi për herë të parë në pluralizëm se një forcë politike, jashtë çdo ligji dhe normaliteti, krijojë një forcë të armatosur, zakonisht me ish gardistë apo figura të larguar nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilët, si kurrë ndonjëherë, të organizuar, të armatosur, lëviznin me mjete motorike nëpër rrugët e sheshet e qyteteve, ndalonin makina dhe njerëz, bënin kontrolle policore, rrëmbenin njerëz, ushtronin dhunë, nxirrnin armët dhe, në fund, bënë vrasje.
Makinat me të cilat lëviznin ishin të siguruara nga njeriu që shpresonte të ishte pas zgjedhjeve parlamentare , si një ëndërr e pa realizuar, ministri i brendshëm i shtetit. Ata që e shoqëronin ishin sejmenët e tij, që, megjithëse e dinin se çfarë bënin ishte jashtë ligjit, e dënueshme dhe, nga ana tjetër marrëzisht e organizuar, vepronin me shpresën e rikthimit në parajsën që kishin humbur.
Forca që krijoi Bardhi u shtri në të gjithë Shqipërinë, ajo vepronte e komanduar nga vetë ai, e askush tjetër, sepse ishte krijesa e tij. Kjo bandë, haptas, dhunshëm, ndalonte, kontrollonte, ushtronte dhunë dhe terror, përplasej ma njerëzit, dhe, synonte të nxirrte jashtë ligjit organet zyrtare, duke u bërë vetë ligj.
Si është akuzuar nga figurat e afërta tani në vetë strukturat e larta të opozitës, mbi atë vetë rëndon vrasja e një aktivisti të shumicës, dhe, për fat, gjithçka e ndal këtu. Kundër dëshirës së Bardhit, që synonte shumë më tepër se kaq, disa nga të mobilizuarit , pas ngjarjes tragjike në Elbasan, mblodhi mendjen, ashtu si e mblodhi vetën edhe shteti, që deri asaj dite i kishte lejuar këto banda të vepronin në dëshirën e tyre.
Në të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, duke nisur që nga viti 1996, bandat politike kanë qenë pjesë e zgjedhjeve politike. Fillimisht ata kanë mbështetur opozitën e sotme. Fakt është se të gjitha grupet që përplasen sot me njëra tjetrën në qytetin e Shkodrës, qoftë në lagjen periferike, si në Dobraç dhe në Kiras, ku ndodhi edhe masakra e pak ditëve më parë, qoftë në anën tjetër të qytetit, fillimisht ishin bandat e organizuara të opozitës. Në Kiras , në zgjedhjet e para politike, votimi ndaj kandidatit të Berishës, të ndjerit Azem Hajdari ishte në maksimumin e mundshëm. Shoqëruesit e tij ishin disa nga ata që nuk janë më, të vrarë nga njëra bandë ose nga tjetra. Pas vitit 2009 bandat u ndanë. Disa i mori shumica e sotme politike të tjera i mbetën besnikë opozitës. Jo thjeshtë në Shkodër, edhe në Durrës, në Elbasan, në Vlorë, në Tiranë. Thuajse kudo.
Këto banda ishin dhe vazhdojë të jenë të jashtë ligjshme, por të pa dukshme. Ata kërcënojnë , por nuk janë të orkestruara nga një dorë. Hedhin gurin, por dorën është e vështirë ta shohësh. Nëse nuk do të ishte transkriptimi i bisedave në rrjete të fshehura pak gjëra do të ishin bërë të ditura.
Ndërsa bandat që ngriti Gazmend Bardhi shin të organizuara, dhe, mbi të gjitha, të gatshme për përleshje me armë. Për t’i shkuar deri në fund përplasjeve. Ndaj lëviznin të armatosur, në grupe bashkë shoqëruese, të drejtuara nga e njëjta dorë.
Kjo dorë nuk u përgjigj asnjëherë për krijesën e tij. Askush nuk e dënoi për krimin që kishte përgatitur. Mos dënimi i krimit përgatit krimin e ardhshëm.
Nëse Gazmend Bardhi flet për vrasje, atëherë duhet ruajtur. Ai ia ka marrë dorën kësaj, gjithë herë përmes një dore tjetër./ DITA