Vrasja e Liridona Ademaj trondi gjithë Kosovën. 30-vjeçarja ishte viktimë e një krimi të rëndë që la pas dhimbje të thella për familjen dhe të gjithë ata që e njohin. Në dosjen e prokurorisë doli që vrasja e Liridonës u porosit nga ish bashkëshorti i saj Naim Murseliu dhe dy persona të tjerë Kushtrim Kokalla, dhe Granit Plava. Për të vrarë gruan e tij, Naimi raportohet se i kishte premtuar dorasit, Granit Plava deri në 30 mijë euro.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, në një rrëfim prekës për ‘Telegrafin’, ka ndarë përvojën e dhimbshme të tij dhe të familjes, duke folur për momentet e fundit të motrës së tij.
“Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda që ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nënë para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që Prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit”, ka thënë ai.
Ai theksoi se ngritja e aktakuzës dhe dënimi maksimal i autorëve të krimit do të ishte një lehtësim për familjen e tij dhe për gjithë shoqërinë. Më pas ai ka ndarë disa detaje nga vrasja e dhimbshme e Liridonës.
“Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veturë në prezencë të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë”.
Leonardi tha se fëmijët e Liridonës janë nën kujdesin e autoriteteve sociale në Suedi dhe janë të shqetësuar për momentet e fundit që kanë kaluar me të ëmën dhe për tradhëtinë që kanë pësuar nga babai i tyre.
“Vonesat e tilla nga ana e organit të akuzës nuk mendoj se mund të bëhen për shkak të kompleksitetit të hetimeve, por më tepër për shkak të mungesës së efikasitetit në trajtimin e rasteve të tilla të ndjeshme, të cilat duhet të trajtohen me prioritet. Për dallim nga prokuroritë e vendeve të zhvilluara evropiane apo atyre në SHBA, ku prokuroritë janë efikase dhe transparente madje duke organizuar edhe konferenca për shtyp në intervale stade të ndryshme të procedurës, një qasje e tillë nuk është evidente në Kosovë”, ka pohuar ai.
Duke folur për trajtimin e rasteve të ndjeshme, avokati Damati tha se pas provimit të fajësisë, të akuzuarit mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
“Prokuroritë në rastet e tilla dhe të ndjeshme ashtu si në rastin e Banjskës dhe raste të ngjashme, duhet të karakterizohen nga efikasiteti profesionalizmi por edhe transparenca duke mos i dëmtuar konfidencialitetin e hetimeve njëkohësisht. Sanksioni penal për veprat e tilla të rënda penale pas provimit të fajësisë në procedurën gjyqësore, mund të rezultojë deri në burgim të përjetshëm”, tha avokati.