Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu, ka reaguar nga Kuvendi pas vdekjes tragjike të 14-vjeçarit, i cili humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarët jashtë shkollës “Fan Noli”. Manastirliu shprehu trishtimin e thellë për humbjen e jetës së një të riu, duke theksuar se dhimbja e prindërve dhe e komunitetit është e madhe dhe e paimagjinueshme. Ajo apeloi për reflektim dhe angazhimin e të gjithëve për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, duke luftuar çdo formë dhune.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu theksoi rëndësinë e promovimit të vlerave të respektit dhe solidaritetit, duke u bërë shembuj pozitivë për të rinjtë.
Ogerta Manastirliu: Sot ndihem thellësisht e tronditur për nga humbja tragjike e jetës e një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës Fan Noli. Një jetë e re e humbur në mënyrë të parakohshme dhe tragjike ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes dhimbja është vërtetë e madhe e prindërve. Dhimbja e komunitetit, e jona e imja personale është e paimagjinueshme dhe është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë e ara na fton se si përfaqësues të qytetarëve këtu në këtë sallë të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më te mbrojtur për fëmijët tanë, duke luftuar në çdo formë dhunën e të gjitha formave.
Por nga ana tjetër edhe ne kemi rolin tonë në këtë seancë dhe në këto seanca të cilat mbajmë. E para të jemi shembull të promovojmë vlerat e respektit për njëri tjetrin, të mos ketë gjuhë urrejtjeje duke filluar nga kjo sallë se ne jemi edhe modeli për fëmijët tanë. Çdo fëmijë në Shqipëri është fëmija ynë ndaj është detyra jonë e përbashkët që të kujdesemi. Ndaj sot të dashur qytetarë është një ditë e dhimbshme për ne dhe sot ju po dëgjoni buxhetin e shtetit për vitin 2025.