Një sulm raketor rus e goditi një ndërtesë banimi në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, duke i vrarë 11 njerëz, përfshirë dy fëmijë, njoftuan zyrtarët ukrainas të hënën.
Shërbimi emergjent shtetëror i Ukrainës njofton se si pasojë e këtij sulmi në orët e vona të së dielës janë plagosur 89 persona, ku 11 ishin fëmijë.
Sulmi në Sumi i pasoi bombardimet e pareshtura ruse kundër rrjetit energjetik të Ukrainës mëngjesin e së dielës. Kievi tha se Rusia i përdori 120 raketa dhe 90 dronë gjatë atyre sulmeve, si pasojë e të cilave humbën jetën shtatë njerëz.
“E diela në mbrëmje u bë ferr për qytetin Sumi, një tragjedi që Rusia e solli në tokën tonë”, tha Volodymyr Artyukh, kryetar i administratës ushtarake të Sumit.
Administrata ushtarake e Sumit tha se një sulm tjetër raketor e goditi rrjetin energjetik, duke e lënë qytetin pa rrymë. Forca Ajrore e Ukrainës tha se forcat ruse përdorën raketa të llojit Iskander-M, dhe një raketë të telekomanduar Kh-59, gjatë sulmit të natës. Më shumë se 400 njerëz u evakuuan nga qyteti, sipas shërbimit emergjent.