Gazetari Sokol Dema komentoi ngjarjen e rëndë të vrasjes së biznesmenit 52-vjeçar në rrugën e Elbasanit, gjatë një interviste në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”. Dema theksoi se hetimi ka mbetur në një pikë të vështirë, pasi ende nuk ka elemente të qarta që mund të çojnë në identifikimin e autorit të krimit.
“Ka disa ditë që policia e Tiranës është në vendnumëro, pasi nuk ka arritur të caktojë as A, as B, por nuk kemi as elementët e A. Gjithçka që ka gjetur në vendngjarje është një viktimë, por edhe plumb tejshpues që nuk është gjetur në trupin e viktimës, por është shpërndarë nëpër ambientin përreth, sepse ka kaluar përtej. Nuk ka autor, nuk ka pamje sigurie që të shfaqë një person që mund të jetë si i dyshuar. Janë kryer dy eksperimente në dy ditët e fundit, të shtunën dhe të premten, për të kuptuar se ku ka qenë këndi i qitjes dhe sigurisht edhe godina nga është qëlluar.
Dyshimet kryesore bien në një godinë të vjetër me tulla të kuqe që është në afërsi të shtëpisë së biznesmenit 52-vjeçar. Megjithatë, pritet të ketë një ekspertim tjetër për ta parë me vëmendje dhe për të plotësuar të gjithë ato “puzzle” që policia i ka të paplotësuara. Mbetet e habitshme, por nuk ka asnjë person të dyshuar, të paktën të shfaqet nëpër pamjet e kamerave të sigurisë që janë marrë nga zona përqark. Nuk ka dikush që mund të konsiderohet si person i dyshuar. Mbetet një nga vrasjet më të sofistikuara të viteve të fundit të vendit tonë. Kemi dalë plotësisht nga vrasjet standarde që jemi mësuar. Derdhje kallashnikovi, djegie makine e më pas autori të zhduket. Pra, policia nuk po shkon drejt identifikimit. Pra, asnjë pamje.”