Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi mbrëmjen e sotme rreth orës 17:10 doli nga gjykata e Apelit pas betejës për masën e sigurisë. Akuzoi prokurorët e SPAK-ut se pretendimet e tyre i kanë ngritur mbi falsifikime.
“Prokurorët ishin të papërgatitur për ato që unë kam parë në fashikuj që kanë ardhur nga SHBA, Çekia dhe Austria. Metodologjia dhe profesionalizmi i prokurorëve të SPAK-ut ishin nën nivelin e një studenti të vitit të parë të Juridikut.
Argumentet dhe pretendimet që ngriheshin ishin të bazuara në falsifikim. Edhe zoti Metaj i sqaroi mjaft mirë. Deklarimet e pasurisë janë bërë me keqdashje. Edhe për letërporositë nga SHBA, ku përsëri bie që të ketë një deklaratë të rremë që ligji i SHBA-së i dënon me pesë vite burg.
Prokurorët më pas kaluan në artikujt e gazetave që u shkruan nga mediat e paguara nga inceneratori. Lufta e SPAK-ut nuk është kundër korrupsionit dhe drogës, pasi në portin e Durrësit nuk është kapur asnjë kg kokainë. Beteja sapo ka filluar” tha ajo.
Kryemadhi u përgjigj edhe për deklaratat e Ilir Metës për deklarimin e pasurisë duke e shfajësuar.
“Zoti Meta në letrën që ia paraqita gjyqtares i bie automatikisht deklarimi i pasurisë. Për atë që thuhet se Ilir Meta ka bërë operacion 7300 Euro, ne kemi deklaruar 14 mijë euro pakësimin e gjendjes cash, prokuroria e ka bërë 10 mijë Euro në mënyrë të qëllimshme për të quajtur diferencën shkelje ligji.
Në rastin e dytë, SPAK thotë se sikur Mirza Alibeaj ka paguar për Ilir Metën 7939 euro, nga letër porosia nga Vjena, SPAK ka gënjyer, sepse Alibeaj ka paguar për veten e saj dhe jo për Metën.
Çështja e pasurisë së deklarimit të Ilir Metës ka rënë. Edhe nga letrat që kanë ardhur nga Çekia, letër porosia thotë Ilir Meta dhe Kastriot Ismailajn kanë fjetur në një krevat. Edhe kjo ka rënë” tha ai.