Liam Payne, ish-këngëtar i grupit One Direction, u varros në Angli pas një tragjedie që i mori jetën muajin e kaluar, kur u rrëzua nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires. Ai ndërroi jetë më 16 tetor, në moshën 31-vjeçare, duke lënë pas një boshllëk të madh në zemrat e fansave dhe të afërmve. Ceremonia e varrimit, e zhvilluar në një kishë piktoreske, ishte e mbushur me emocion, me lule dhe qirinj që zbukuronin hapësirën për t’i dhënë nderimet e fundit.
Ish-anëtarët e One Direction, Harry Styles, Niall Horan, Louis Tomlinson dhe Zayn Malik, ishin aty për të përshëndetur mikun dhe kolegun e tyre të dashur. Të pranishëm gjithashtu ishin partnerja e Liam, Katie Cassidy, Cheryl (nënë e djalit të tij) dhe shumë miq të tjerë të ngushtë. Një burim i afërt me familjen tha se ceremonia ishte organizuar me kujdes të madh për të nderuar kujtimin e Liam, që për prindërit e tij do të mbetet gjithmonë “djali i vogël”. Anëtarët e grupit One Direction shprehën hidhërimin për humbjen e tij, duke e cilësuar atë si “vëllanë e dashur” dhe duke theksuar se do të mungonte tmerrësisht.