Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të gjerë në një fshat të Komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës, ku ka gjetur një sërë armësh, uniformash dhe pajisjesh ushtarake të groposura. Aksioni kishte për qëllim gjetjen e një të dyshuari, me inicialet S.M, i kërkuar lidhur me një laborator droge të zbuluar më parë në fshatin Qukiq.
Në operacionin e zhvilluar, policia ka zbuluar në pronën e të dyshuarit, në një vend të mbuluar me dhe, armë dhe pajisje ushtarake, duke përfshirë uniforma, pjesë të pushkëve të gjata, jelekë taktikë, gazmaskë, tytën e një pistoletë, pranga dhe 1.471 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Sipas autoriteteve, ky aksion ka ardhur si pjesë e hetimeve lidhur me aktivitete të mundshme kriminale në veri të Kosovës, përfshirë sulmet në Banjskë, ku një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit të kaluar, duke shkaktuar viktima.