Historia e rregullimit të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është më e vjetër se Kushtetuta e vendit.
Le të kthehemi mbrapa në kohë.
Para Kushtetutës së vitit 1991, në atë që sot njihet si Maqedoni e Veriut, parashiheshin të drejta për shtetasit e të gjitha kombësive që jetonin brenda shtetit.
Por, më 1991 pati përpjekje për të krijuar një Kushtetutë me fokus në shtet-komb, ndërsa gjuha maqedonase, me alfabetin e vet cirilik, u përcaktua gjuhë e vetme zyrtare.
Diçka e tillë rezultoi e papërshtatshme për një shtet shumëkombësh sikurse Maqedonia e Veriut.
Kësisoj, përdorimi i gjuhës shqipe dhe aspekte të tjera, si përdorimi i simboleve kombëtare, përfaqësimi në Parlament dhe në institucione tjera, patën nxitur konflikt të armatosur më 2001, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i cili përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit.
Me këtë Marrëveshje, Kushtetuta u ndryshua përmes 15 amendamenteve, të cilat rregulluan edhe përdorimin e gjuhëve të tjera në vend, përveç asaj maqedonase.
U vendos që gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut janë gjuha maqedonase dhe gjuhët e tjera që fliten nga mbi 20 për qind e qytetarëve të vendit.
Kështu, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera iu dha mundësia e integrimit në shoqëri. /Lexo KETU lajmin e plote