-sidi education-spot_img
3.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

VOA: Shqipëria rrit prodhimin e ullirit, por sfida për eksportin e vajit

Kryesoret

Shqipëria është një vend mesdhetar që njihet për prodhimin e ullirit dhe viti pas viti fermerët po rrisin sipërfaqet e kultivuara. Ekspertë thonë se këtë vit prodhimi i ullirit është më i mirë se viti i shkuar, megjithë pasojat e ndryshimeve klimatike, me një verë të thatë. Por sipas specialistëve tregu i vajit të ullirit vazhdon të përballet me mjaft sfida dhe niveli eksporteve mbetet ende i ulët.

Në Qendrën e Transferimit të Tekonologjive Bujqësore në Vlorë kultivues dhe përpunues të ullirit po ndjekin ekspertët që flasin për kultivarët autoktonë dhe vlerësimimin e vajit të ullirit në Shqipëri.

Aktualisht sezoni i vjeljes së ullinjve dhe prodhimit të vajit në vend është në pikën më të lartë.

“Ky vit është më i mirë se viti i shkuar për sa i përket prodhimit”, thotë Meno Besimaj që drejton këtë qendër.

“Sivjet pritet të jenë mbi 120 mijë tonë ullinj që do të thotë që të konvertuar do të rrisin prodhimin e vajit, pavarësisht se rrezja e vajit nuk është në sasinë që ka qenë vitin e kaluar për shkak të luhatjeve që kanë pësur temperaturat dhe të stresit që krijoi bima e ullirit prej thatësirës. Kapaciteti i prodhimti këtë vit është i mirë dhe të gjitha fabrikat janë me kapacitet të plotë këto ditë”, tregon ai.

Ndërkohë ndryshimet klimatike kanë ndikuar këtë vit tek ulliri, sipas specialistit Adhurim Lazaj.

“Ky vit pason vitin 2023 me prodhimtari të ulët dhe ulliri e ka të theksuar prodhimi periodik ku një vit prodhon më shumë se viti tjetër. Ky vit pritet të ishte “viti i plotë”, tek ulliri por për shkak të kushteve klimaterike, veçanërisht në kohën e lulëzimit, nuk arriti të ketë prodhimin e pritshëm, por përsëri, krahasur me vitin e kaluar prodhimi i ullirit kokërr është më i lartë”, thotë ai.

Sipas vlerësimeve paraprake të kësaj qendre prodhimi pritet të shkojë këtë vit në mbi 120 mijë tonë ullinj nga 117.618 tonë ullinj që ishte, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, në vitin 2023.

Këtë vit vaji i ullirit tregëtohet nga fermerët apo nga fabrikat 8 deri në 10 dollarë për litër nga 5-6 dollarë për litër që ishte vitin e shkuar.

Fermerët këtë vit janë më të kënaqur pasi cmimi i vajit është më i lartë krahasim me vitet e shkuara, thotë zoti Besimaj.

Një nga faktorët që po ndikon çmimin e rritur të vajit është rritja e kostos së vjeljes së ullinjve pasi fuqia punëtore është e pakët për shkak të emigrimit në shumë zona, thotë më tej zoti Besimaj.

“Mungesa e fuqisë punëtore do të thotë që është rritur edhe vlera e ditës së punës. Rreth 30% të kostos së prodhimit të ullirit e përbën vetëm vjelja. Pavarësisht se vjelja e ullirit po bëhet e mekanizuar pasi tani ka shumë shkundëse ulliri me bateri dhe me energji apo me naftë dhe me benzinë por përsëri krahu i ri i punës është larguar dhe pjesa më e madhe është e detyruar që ullinjtë ti mbledhin dhe kuptohet ka një rritje të kostos së vjeljes”, thotë ai.

Ndërsa sipas specialistit të ullirit Adhurim Lazaj duhet bërë kujdes në gjithë procesin nga vjelja deri tek prodhimi i vajit.

“Shqipëria, thotë ai, nuk pretendon të konkurojë në tregun global të vajit të ullirit me sasi pasi ka sipërfaqe të vogla me ullinj krahasur me vendet e rajonit si Greqia, Italia apo Spanja, por synon të konkurojë me cilësinë e vajit”, thotë ai.

“Që të marrim cilësi maksimale duhet ta vjelim në kohë, duhet momenti nga vjelja deri në përpunim të jetë sa më i shkurtër. Mundësisht brenda katër orëve ulliri nga vjelja duhet të shkojë të përpunohet. Nëse sasitë e ullirit të vjelë i mbajmë me ditë fillon dekompozimi dhe që këtu nis e prishet vaji.”

Ndërsa zoti Besimaj thotë se ka ende shumë punë për të bërë sidomos drejt marketingut dhe paketimti të vajit të ullirit për të depërtuar në tregun rajonal.

“Fabrikat tona janë të gjitha fabrika të reja të kohës së fundit. Janë dy lloje të fabrikave që i ka Italia dhe Spanja, por duke qenë se ne jemi futur vonë në këtë punë i kemi më të reja dhe janë shumë ciëlsore. E vetmja gjë që ne nuk e kemi ende të normalizuar është pjesa e depozitimit, e ambalazhimit, e etiketimit dhe kjo është pjesa e marketingut që nuk e bëjnë të gjitha fabrikat. Në 20 fabrika që ne kemi inspektuar ditët e fundit vetëm dy fabrika e kanë pjesën e grumbullimit, të marketimit dhe të çertifikimit të vajit të ullirit”, thotë ai.

Ndërsa Armando Lamaj që merret me prodhimin e vajit të ullirit prej gati 5 vitesh në zonën e Drashovicës në Vlorë thotë se klima bëri të vetën këtë vit duke ulur prodhimi për këtë zonë.

Zoti Lamaj përpunon ullinjtë e komunitetit të zonës por synon që të përfshihet edhe në tregëtimin e vajit të ullirit jashtë vendit.

“Me sa po shohim ne po avancon tregu i vajit të ullirit për jashtë. Edhe cilësia e vajit ishte shumë e mirë këtë vit. Sivjet e kam në plan të përfshihem në tregun jashtë të vajit të ullirit dhe do të nisim procedurat e çertifikimit.”

Zoti Lamaj thotë se përpunuesit e vajit kanë neovojë për mbështetje nga shteti pasi kanë kosto të rritura duke filluar nga energjia elektrike që punojnë fabrikat, tek kosto e grumbullimit të prodhimit tek fermerët dhe rritja e kapaciteteve ruajtëse të vajit.

Sipas të dhënave doganore Shqipëria eksportoi në nëntë muajt e parë të këtij viti rreth 2400 tonë vaji ulliri ndërsa gjatë vitit të shkuar u eksportuan në total rreth 6100 tonë vaj ulliri.

Ekpsportet e vitit të shkuar u lidhën veçanërisht me një sasi stoku të vajit të ullirit të krijuar gjatë vitit 2022 i cili u eksportua drejt Italisë pas një marrëveshje mes të dy vendeve.

Sipas vlerësimeve paraprake të të qendrës kombëtarë të ullirit në Vlorë këtë vit prodhimi i vajit të ullirit pritet të shkojë në Shqipëri në rreth 25 mijë tonë ndërsa gjatë vitit 2023 u prodhuan në nivel kombëtar rreth 20 mijë tonë vaj ulliri./VOA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit