-sidi education-spot_img
13.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ditmir Bushati: Re konfuzioni

Kryesoret

Shumë janë përpjekur ta analizojnë bardhë e zi rezultatin e zgjedhjeve në SHBA, megjithëse është ende herët për të kuptuar plotësisht përmasat e kësaj ngjarjeje me ndikim botëror. Analiza se përse njerëzit zgjedhin dikë përkundrejt dikujt tjetër ka kohë që është kthyer në art dhe jo shkencë, sidomos në epokën e ballafaqimit të ashpër mes mediave tradicionale dhe rrjeteve sociale. Për amerikanët, ka disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë dhe meritojnë analiza më të thelluara, duke filluar nga paragjykimet, nëse një grua mund të zgjidhet presidente, nëse ‘fenomeni Trump’ është një përjashtim nga rregulli politik apo “ilaç i hidhur” ndaj hipokrizisë e gërryerjes së elitës liberale të shkëputur prej halleve të njerëzve të zakonshëm; për raportet e politikës me përfaqësimin, me paranë dhe teknofeudalët e botës së informacionit; për faktin që perceptimet e realitetit janë më të fuqishme se vetë realiteti, për sa kohë algoritmet orientojnë debatin politik në platforma të ndryshme sociale.

Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, duke përforcuar tendencën e vënë re këtë vit zgjedhor në botë, ku njerëzit kanë përqafuar ndryshimin. Ndërkohë, republikanët do të zotërojnë shumicën e kongresit dhe senatit, krahas shumicës konservatore të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Për të paktën dy vjet, Presidenti Trump mund të bëjë pothuajse gjithçka që dëshiron i pashqetësuar nga pushtetet e tjera. Emërimet në postet kryesore tregojnë se Trump e sheh këtë triumf zgjedhor si një konfirmim të botëkuptimit të tij, se populizmi për çështjet sociale, hapja e vendeve të punës, sigurimi i kufijve, dhënia fund e luftërave, tregtia dhe politika e jashtme nën devizën “Amerika e para”, janë rruga përpara për vendin dhe pasqyrim i dëshirave të shumicës së popullit amerikan.

Në planin ndërkombëtar është krijuar një re konfuzioni rreth ndikimit të mundshëm të administratës “Trump” në pjesë të ndryshme të botës. Prej saj pritet një ndryshim thelbësor krahasuar me administratën “Biden”, por edhe me vetë administratën e parë “Trump” për shkak të: dy fronteve të mëdha të luftërave Rusi-Ukrainë dhe Lindjes të Mesme; mungesës së një udhëheqjeje të fortë në nivel europian, si pasojë e humbjeve dërrmuese të elitave drejtuese në Gjermani dhe Francë; formësimit të aleancave alternative të shteteve me një gjeografi e popullsi të konsiderueshme përkundrejt rendit të bazuar në rregulla; një arkitekture ndërkombëtare më komplekse dhe konkurruese.

Reja e konfuzionit është e madhe për mënyrën se si do të zhvillohen raportet mes amerikanëve dhe europianëve brenda hapësirës euroatlantike. Njëfarë zhvendosjeje e prioriteteve strategjike amerikane nga Europa në drejtim të Azisë dhe Paqësorit filloi prej administratës së Presidentit Obama. Reagimi brutal i administratës së parë “Trump” ndaj europianëve për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO, e kishte zanafillën te fakti se për një pjesë të europianëve, duke nisur me presidentin francez Macron, NATO e kishte humbur qëllimin e ekzistencës së saj. Mirëpo, insistimi i atëhershëm amerikan jo vetëm e “shkundi” NATO-n nga përgjumja, por edhe e përgatiti atë për t’iu kundërpërgjigjur agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Administrata “Biden” siguroi një lidhje të qëndrueshme ndërmjet SHBA-ve dhe Europës për përballimin e agresionit rus në Ukrainë. Biden do të jetë presidenti i fundit euroatlantik në Shtëpinë e Bardhë me një botëkuptim të formësuar që nga koha e Luftës së Ftohtë, i ndërgjegjshëm për nevojën e bashkërendimit të politikës së jashtme dhe veprimeve me aleatët europianë. Ndërkohë, siç ka dëshmuar edhe gjatë presidencës së parë, qasja e angazhimit me aleatët dhe botën e presidentit të zgjedhur Trump është e ndryshme. Më shumë sesa sistemi i brendshëm politik i vendeve të tjera, apo aleancat e bazuara në vlerat e përbashkëta në institucionet shumëpalëshe, atij i intereson arritja e marrëveshjeve, pavarësisht nga orientimi i shtetit, duke besuar te fuqia e SHBA-ve në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, burimeve natyrore dhe teknologjisë.

Kjo do të përbëjë sfidën themelore të aleatëve europianë, të cilët, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas me rënien e Murit të Berlinit, e konsiderojnë marrëdhënien e tyre me SHBA-të si të bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, me fokus tek përkushtimi ndaj sigurisë kolektive, sundimi i së drejtës, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe ndaj një sistemi transparent e shumëpalësh të tregtisë së lirë.

Pikërisht për shkak të kësaj qasjeje, administrata e ardhshme “Trump” përfaqëson gjithashtu një mundësi për krijimin e një rrjeti më të gjerë aleatësh jotradicionalë, duke filluar nga monarkitë e Gjirit Persik, por edhe një angazhim të drejtpërdrejtë me kundërshtarë të përhershëm si Rusia apo Koreja e Veriut, në funksion të shkurajimit apo përfundimit të konflikteve dhe luftërave. Vendet e Gjirit Persik dhe Izraeli ishin vendet e para ku Trump udhëtoi si president gjatë mandatit të parë dhe ku siguroi përparimin më të madh diplomatik, përmes marrëveshjeve të Abrahamit, të cilat janë në fuqi, pavarësisht luftërave të përgjakshme në Gaza dhe Liban. Nuk do të ishte çudi që Presidenti Trump të bënte përsëri udhëtimin e tij të parë atje. Kësaj radhe me një përpjekje për të zgjeruar marrëveshjet e Abrahamit dhe izoluar më shumë Iranin, me qëllim krijimin e një arkitekturë sigurie të qëndrueshme në Lindje të Mesme.

Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë vazhdimisht se do t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë brenda një dite, edhe pse dinamika në terren po ndryshon, për shkak të vendimit të Presidentit Biden për të lejuar Ukrainën që t’i kundërpërgjigjet Rusisë me raketa amerikane me rreze të gjatë. Ndonëse përfundimi i luftës është një objektiv i dëshirueshëm nga të gjithë, perspektiva e paqes ose armëpushimit të qëndrueshëm është e vogël. Ndaj, mbetet të shihet mënyra se si do të materializohet ky objektiv, hapat që do të ndiqen, bashkërendimi ose jo me aleatët europianë. Dhe mbi të gjitha, e ardhmja e Ukrainës. Vështruar nga prizmi dhe gama e konflikteve të ngrira në Europë, mënyra se si do të përfundojë kjo luftë do të ketë një ndikim të pashmangshëm për arkitekturën e sigurisë në Europë, përfshirë rajonin tonë. Siç ka thënë me të drejtë, përfaqësuesja e zgjedhur e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, “humbja e Rusisë në luftën e saj në Ukrainë është mënyra më e sigurt për të mos u shqetësuar për Luftën e Tretë Botërore”.

Nëse veprimet e administratës “Trump” për Ukrainën nuk do të bashkërendohen me aleatët europianë, kjo do të shërbejë si test për europianët për të dëshmuar kapacitetin e tyre për të qëndruar dhe vepruar së bashku, pavarësisht SHBA-ve, me praninë e të cilëve janë mësuar prej shumë dekadash. Deri tani përgjigjja europiane për Ukrainën ka qenë e unifikuar, parimore dhe strategjike, përtej të gjitha pritshmërive. BE-ja dhe vendet anëtare kanë dhënë rreth 43 miliardë euro ndihma ushtarake, rishpikën instrumentin e Paqes Europiane, mikpritën rreth 4 milionë refugjatë ukrainas. Në planin politik, BE-ja ndërmori hapa drejt zgjerimit në lindje të saj, me dhënien e statusit të vendit kandidat dhe vendimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Ukrainës dhe Moldavisë. Të gjitha këto as që mund të imagjinoheshin para 24 shkurtit 2022. Për polakët, baltikët, nordikët, Ukraina është një çështje e rëndësishme sigurie. Finlanda dhe Suedia hoqën dorë nga politika e neutralitetit dhe u bënë pjesë e NATO-s, pikërisht për shkak të kërcënimit rus. Megjithatë, një numër vendesh europiane larg frontit të luftës po paguajnë kosto të konsiderueshme ekonomike, si pasojë e luftës. Kryeministri hungarez Orban këmbëngul për përfundimin e luftës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Në të tilla kushte, shtrohet pyetja: a do të qëndrojnë të bashkuar europianët përballë veprimeve të mundshme të njëanshme të administratës “Trump”? Veprimet e njëanshme shoqëruar me rritjen e tarifave amerikane ndaj mallrave europianë, siç ka premtuar Presidenti i zgjedhur Trump gjatë fushatës, mund të shkaktojnë të çara të mëdha gjeopolitike brenda familjes euroatlantike me ndikim në të gjithë kontinentin, ose një riorganizim europian në shkallë më të gjerë.

Rendi europian i tanishëm është mbështetur mbi tri shtylla, të cilat janë sfiduar në mënyrë dramatike: zbutja e dallimit mes Europës dhe SHBA-ve, përmes krijimit të komunitetit euroatlantik; zbutja e dallimit mes çështjeve të brendshme dhe atyre të jashtme, përmes politikës së thellimit të BE-së; zbutja e dallimit mes qendrës dhe periferisë, përmes politikës së zgjerimit dhe fqinjësisë. BE-së i duhet të riparojë shtyllat e mësipërme, nga të cilat vetëm njëra ka të bëje me bashkëpunimin e Europës me SHBA-të. Dy të tjerat varen krejtësisht nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së.

Edhe pse europianët kanë shtuar angazhimin e tyre në NATO, siguria e kontinentit varet në një masë të konsiderueshme nga mbështetja e SHBA-ve. Politika e jashtme europiane është e lidhur ngushtë me atë të SHBA-ve, qoftë në raport me Lindjen e Mesme apo me Kinën. Europa ka mbetur mbrapa SHBA-ve dhe Kinës në planin teknologjik dhe nuk ka diversifikuar mjaftueshëm partneritetet e saj ekonomike. Ajo mbështetet kryesisht në marrëdhëniet tregtare me SHBA-të. Së fundmi, ka reduktuar varësinë e saj energjetike nga Rusia. Thënë ndryshe, BE-ja mbetet e ndjeshme ndaj luftërave tregtare dhe ndaj një rendi të ri shumëpolar sigurie.

Gjithashtu, BE-ja e sotme nuk është vetëm gjeopolitikisht më e ekspozuar, por edhe më e ndarë politikisht, përsa i përket modelit që paraqet, nevojës për reformim, për mënyrën e funksionimit dhe vendimmarrjes dhe agjendave konkurruese në lidhje me procesin e zgjerimit dhe konsolidimin e projektit europian në jug dhe lindje të saj.

Në takimin e mbajtur të Komunitetit Politik Europian në Budapest, pas zgjedhjeve në SHBA, kryeministri hungarez Orban e konsideroi marrëdhënien e privilegjuar të tij me Trump si një mundësi për BE-në për të çuar përpara interesat e saj, për t’i dhënë fund luftës në kontinent dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Rusinë. Se cilat janë kushtet e përfundimit të luftës dhe se çfarë do të thotë normalizim i marrëdhënieve me Rusinë mbetet e paqartë. Në kulmin e kritikave të OSBE-ODIHR për standardet e zgjedhjeve parlamentare në Gjeorgji, kryeministri Orban kreu një vizitë në Tbilisi, duke përshëndetur procesin, çka shkaktoi një valë kritikash nga shumica e shteteve anëtare të BE-së.

Po kështu, Hungaria ka shtuar praninë e saj ekonomike në rajonin tonë dhe patronazhin politik, duke ndërtuar marrëdhënie preferenciale me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Republikën Srpska dhe marrëdhënie konjukturale me Shqipërinë. Edhe pse është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, qëndrimet kundërshtuese të viteve të fundit ndaj aspiratave të Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare, janë dëshmi e faktit se politika e BEsë ndaj Kosovës tani është një politikë me 21 shtete njohëse, minus 5 mosnjohëse dhe Hungaria me politikën e saj, çka paralizon qëndrimin dhe veprimin e përbashkët europian për përmbylljen e konfliktit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe anëtarësimin e tyre në BE.

Ndërkohë, thirrja e përsëritur e presidentit francez Macron për të reduktuar varësinë nga SHBA-të dhe përpjekjet për t’u zhvendosur nga BE-ja drejt Komunitetit Politik Europian nuk përputhen me realitetin politik dhe as me aspiratat e një pjesë të mirë të europianëve. Një format ndërqeveritar me një gjeografi politike të diversifikuar, pa vendimmarrje dhe instrumente, Komuniteti Politik Europian nuk mund të zëvendësoje as praninë e domosdoshme të SHBA-ve në Europë dhe as procesin transformues të anëtarësimit në BE.

Momenti i tanishëm është përcaktues për ndryshime të rëndësishme në projektin e integrimit europian. Kthjellimi do të pasojë konfuzionin, duke krijuar mundësinë për të kuptuar kahun e lëvizjes së kontinentit, përpara ose në drejtimin e gabuar. Natyrisht, dobësimi i lidhjes euroatlantike nuk është ogur i mirë për rajonin tonë, ku SHBA-të konsiderohen si garantues të perimetrit të sigurisë, ndërsa europianët “alergjik” ndaj forcës. Gjithsesi, kjo nënkupton nevojën për vigjilencë të shtuar europiane, për të fuqizuar kapacitetin shkurajues të trupave të KFORit në Kosovë dhe EUFOR-it në Bosnje-Hercegovinë, si dy pika kritike në rrafshin e sigurisë rajonale.

Ushtrimi i një gjeopolitike pa vlera nga ana e BE-së, si një “ilaç qetësues” në mungesë të procesit të anëtarësimit të shteteve të rajonit, ka zbehur besimin e qytetarëve tek BE-ja. Edhe pse BE-ja ka pasur një rol udhëheqës në rajon, nga pikëpamja e vlerave dhe standardeve që ajo mishëron, procesi i zgjerimit nuk është përkthyer në më shumë demokraci, standarde demokratike dhe mirëqenie për qytetarët e rajonit.

Zotimi i Presidentit të zgjedhur Trump për të dëbuar emigrantët pa dokumente nga SHBA-të pasqyron një prirje brenda BE-së, e cila në mungesë të një politike të unifikuar, u ka lejuar shteteve anëtare të largohen gjithnjë e më shumë nga respektimi i së drejtës ndërkombëtare, siç shihet në rastin e marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, për krijimin e “qendrave të kthimit të emigrantëve” në Shqipëri. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjen ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë në lidhje me litiumin, çka krijon përshtypjen se lëndët kritike dhe emigracioni janë përparësi për BE-në, në funksion të arritjes së qëllimeve të veta strategjike. Për fat të keq, në kurriz të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor.

Shembujt e mësipërm tregojnë se si mund të “ballkanizohet” apo “riformatohet” BEja, për shkak të kompromentimit të vlerave dhe standardeve të procesit të zgjerimit, sidomos gjatë dekadës së fundit. Ato minojnë kapacitetin e saj për t’u paraqitur si një front i bashkuar në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë qytetarët të ndihen jo si pjesë e familjes europiane, por si periferia e saj që shërben për zgjidhjen e “halleve” të Europës.

Në rast se administrata e parë “Trump” shkundi NATO-n nga përgjumja, rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë duhet të shërbejë si shtysë për qartësimin e qëllimeve të përbashkëta të BE-së dhe të ardhmen e projektit europian. “Ora e Europës ka ardhur”, pati thënë me krenari ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Jacques Poos në vitin 1991, teksa kryesonte në emër të BE-së përpjekjet për të gjetur zgjidhje për konfliktin që sapo kishte shpërthyer në ish Jugosllavi. Në të vërtetë zgjidhja erdhi prej SHBA-ve, vendosmëria e të cilave ndaloi luftërat dhe siguroi paqen. Ndonëse ka kaluar rreth një çerek shekulli nga përfundimi i luftërave në rajon, BE-ja nuk ka dëshmuar kapacitet për të përmbyllur konfliktet dhe ankoruar të gjitha shtetet e rajonit në gjirin e saj. Në rrethanat e reja gjeopolitike, BE-ja është thirrur sërish në sfidë për të qenë në lartësinë që kërkon koha.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit