Këshilltari për çështjet ekonomike të PD, Dorjan Teliti me anë të një postimi në rrjete sociale ka shprehur shqetësimin për gjendjen e Shqipërisë në 112 vite pas shpalljes së Pavarësisë.
Teliti shprehet se kjo nuk është Shqipëria që donin baballarët e Pavarësisë. Ai thekson se Shqipëria 2024 është me kushtetutë të përdhosur, me arrestime dhe persekutime politike.
“Shqipëria 2024 është Shqipëria që shpopullohet dita ditës, rinia largohet, familjet që ndahen për së gjalli.Shqipëria 2024 është ajo e varfërisë, ku 46% e popullatës vuajnë për “bukën e gojës”, shtresat e varfëra janë të braktisura e përcmuara.
Shqipëria 2024 është ajo që nuk shërben sic duhet të sëmurët, e mungesës së theksuar të ilaceve, spitaleve, qendrave shëndetësore.Shqipëria 2024 është ajo e arsimit jo cilësor, e shkollave me dy turne, e universiteteve që diploma japin por punëmarrës të denjë nuk krijojnë.Shqipëria 2024 është ajo e politikave të urrejtjes ndaj fshatit dhe fermerit.
Shqipëria 2024 është ajo e korrupsionit galopant, abuzimit me pronën private dhe publike, është Shqipëria ku një grusht njerëzit nuk zbatojnë më parimet e ligjit por vetëm parimet “KCK të maliqit”.”, shkruan Teliti.
Ai thekson se Shqipëria nuk është siç baballarët e pavarësisë e imagjinuan dhe dhanë edhe jetën për të bërë të pavarur dhe të begatë.
“Ndaj ngrihuni të bëjmë ndryshimin, ja detyrohemi kaq brezave të sotëm por edhe baballarëve të kombit, prej të cilëve gëzojmë sot lirinë.”, shprehet Teliti.