Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka analizuar ecurinë e kombëtares në Ligën e Kombeve. Duka tha në “SportItalia” se kombëtarja shqiptare nuk kishte fatin në këto ndeshje të Ligës së Kombeve dhe theksoi se kishte shumë lojëtarë të dëmtuar.
“Nuk mund të them se arritëm atë që donim. Në fakt, ishte një grup vërtet i balancuar, shumë i luftuar dhe si në asnjë grup tjetër, të katër skuadrat ishin në garë deri në sekondën e fundit të ndeshjes së fundit për vendin e parë apo të fundit. Ukraina ashtu siç u dënua të eliminohej me pikë edhe pse kishte 4 pikë të barabarta me vendin e parë të grupit në finalet e Euro 2024, u shpërblye këtë herë në Ligën e Kombeve me një pikë më shumë në Tiranë. Fati nuk ishte në anën tonë në këto ndeshje të Ligës së Kombeve. Duhet theksuar gjithashtu se kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar në çdo ndeshje.”, tha Duka.
Më pas ai shprehu se sulmuesi Cristian Shpendi është në vëmendjen e trajnerit Silvinjo dhe është rritur shumë këtë sezon.
“Shpendi ka luajtur me ekipin Kombëtar U-21, ka qenë protagonist në një ndeshje të fituar me përmbysje kundër Rumanisë në kualifikuese, por tani është rritur akoma më shumë. Është në vëmendje të trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, por në ndeshjet e tetorit ishte i dëmtuar. Unë gëzohem shumë kur Cristian bën gola, por kur ato i bën për Kombëtaren shqiptare lumturohem”, tha Duka.
Ai tha se për Kristjan Asllanin kishte një këshillë që duhet të vazhdojë të qëndrojë tek Interi pasi është momenti i tij.