Nga Fieri, kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me prindër dhe mësues në kuadër të diskutimeve për kufizimin e rrjeteve sociale tek fëmijët, sidomos në rrjetet TikTok dhe Snapchat tha se për rrjetet sociale, njerëzit janë thjesht mallra ku secili përdorues ka një kod identifikimi.
“Fëmijët janë shumë të prekur nga bota paralele mes klasës, shtëpisë, dhe ekranit të TikTokut dhe cilitdo rrjeti social. Këto platforma kanë një instrument shumë djallëzor që marrin informacion nga çdonjëri prej nesh. Për njëri-tjetrin në këto platforma në jemi persona, ndërsa për platformat ne jemi mallra.
Platformat bëjnë biznes. Janë biznes, nuk janë hapësira demokratike. Të gjithë futen aty. Edhe reklamat që vijnë të shfaqen kur ke interesa të caktuara për mallra të caktuara, dhe në të gjithë këtë jemi në kushtet e një kohe që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogërat.
Është gjëja më e frikshme kur t’i futesh në një restorant dhe shikon prindër dhe është një gjë e vogël, ka dhe nga ata të vegjlit në karroca, edhe ju vënë iPhonin përpara. E heq atë, fillon klithma. Kjo botë është faktikisht një forcë e re në jetën e familjes dhe të shkollës. Nuk është më mësuesi-nxënësi-prindi. Është dhe ky tjetri, një hije që e ke në xhep dhe të shoqëron gjatë gjithë kohës.
Në rastin e fëmijëve, ajo hija ju thotë të gjitha të kundërtat që i thotë mësuesi dhe prindi. Në ato rrjete nuk ekziston asgjë nga ato që përpiqet mësuesi t’i thotë. Aty ata marrin një frymëzim tjetër komplet. Prindërit kur fëmijës i blejnë një telefon, i kanë dhënë një rrugaç për shok. Kështu e shoh unë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.