-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Çfarë dihet deri më tani për sulmin ndaj kanalit të ujit në veri të Kosovës?

Kryesoret

Në mbrëmjen e 29 Nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ndodhi një shpërthim që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nuk pati viktima, por kanali pësoi dëme.

Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për këtë “sulm kriminal dhe terrorist” dhe strukturat kriminale të udhëhequra nga Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të Shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia synoi “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Nuk është thënë saktësisht se çfarë eksplozivi është përdorur, por ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se bëhet fjalë për “eksploziv që nuk është i lehtë për t’u gjetur në tregun e zi”.

Serbia mohoi përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke e dënuar shpërthimin si “të papranueshëm dhe të patolerueshëm”.

Ajo theksoi se ky akt “në mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë.

Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e dënoi dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë.

Policia e Kosovës të shtunën vazhdoi me hetime intensive për ndriçimin e rastit dhe, si rezultat, në veri të vendit po zhvillohet një operacion policor që përfshin disa lokacione.

Këshilli i Sigurisë, pas takimit pas mesnatës, miratoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale, etj.

Nga sistemi i Ibër-Lepencit në Ujman, në Zubin Potok, furnizohen me ujë të pijshëm veriu i Kosovës, por edhe Prishtina me rrethinë. Ky hidrosistem furnizon gjithashtu me ujë termocentralet në Obiliq, që përdoret për ftohjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Përveç kësaj, uji nga liqeni akumulues i Ujmanit përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore.

Si pasojë e dëmtimit të kanalit, Kurti kishte deklaruar se shumë pjesë të Kosovës mund të mbeten pa energji elektrike në mëngjesin e 30 Nëntorit, ndërsa disa qytete dhe një pjesë e kryeqytetit, Prishtina, mund të mbeten pa ujë të pijshëm.

Megjithatë, Qeveria të shtunën njoftoi se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit.

Kjo u bë e mundur pasi, rreth orës 02:00 pas mesnate, u vendosën gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’.

Gjithashtu, është marrë vendim që autoritetet e vendit të bashkërendohen me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë dhe për të shmangur reduktimet eventuale.

Të shtunën në mëngjes, gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni raportuan se uji mund të shihet ende duke rrjedhur nga kanali i dëmtuar, edhe pse gjatë natës është vendosur një argjinaturë prej dheu.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dënoi ashpër sulmin ndaj “infrastrukturës kritike në Kosovë” pas dëmtimit të kanalit të ujit në veri.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se “incidenti serioz në Zubin Potok sonte mund të ketë pasoja të rënda për furnizimin me energji dhe ujë nëpër komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dënoi fuqishëm sulmin që prek “komunitetet gjithandej Kosovës”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, gjithashtu dënoi sulmin dhe deklaroi se tashmë “ka ofruar ndihmën e BE-së për autoritetet e Kosovës” dhe se “incidenti duhet të hetohet, ndërsa përgjegjësit të vihen para drejtësisë”.

Dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e dënoi sulmin dhe kërkoi që përgjegjësit për “sabotimin e infrastrukturës kritike” të Kosovës të sillen para drejtësisë.

Shpërthimi në Zubin Potok ndodhi disa orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se kishte shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa incidente me mjete shpërthyese./REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit