Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se nga sulmi me eksploziv që u dëmtua kanali i Ibër–Lepencit, policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar në veri të vendit dhe ka konfiskuar arsenal të armatimit.
“Janë sulme të cilat dirigjohen nga Serbia. Sulmi më kritik, më i rëndë pas përfundimit të luftës. Ne për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar. Ky sulm terrorist është i mirë organizuar, i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Sveçla.
Ai thotë se sulmi i fundit ndaj infrastrukturës jetike është më i rëndi në Kosovë që nga paslufta. Sveçla thotë se institucionet tashmë kanë bashkërenduar aktivitetet për të zbardhur ngjarjen.
“Pas hetimeve intensive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.