Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dhënë detaje lidhur me sulmin që ndodhi në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, në kanalin e Ibër-Lepencit. Më 30 nëntor 2024, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorin Special, kryen disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku u sekuestruan armë dhe pajisje të tjera.
Në kuadër të hetimeve, janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues” dhe “Kryerja e veprës terroriste”, si dhe për “Mbajtja e armëve pa leje”. Dy prej tyre, D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar. Për D.V., është kërkuar paraburgimi, ndërsa D.M. është liruar pas procedurës ligjore.
Gjithashtu, më 1 dhjetor 2024, është ndaluar një tjetër i dyshuar, J.V., i cili ishte në kërkim. Në shtëpinë e tij janë gjetur armë dhe pajisje të tjera të sekuestruara. Hetimet për këtë rast vijojnë.