Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ndaluar një person, nën dyshimin për përfshirje në sulmin terrorist të 24 shtatori 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Përderisa Prokuroria dha vetëm inicialet, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se bëhet fjalë për Stefan Raduloviçin, për të cilin tha se kërkohej.
Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale, i dyshuari është arrestuar nga Policia në pikëkalimin kufitar në Merdar. Ai është ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit.
Sipas njoftimit, i arrestuari dyshohet për kryerjen e veprave penale: “kryerja e veprës terroriste” dhe “veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.









