Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot do të zhvillojnë takime të ndara me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiçin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.
Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.
Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.
Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.
Kurti dhe Vuçiç në Bruksel do të zhvillojnë edhe takime të ndara me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta. Më vonë ata do të marrin pjesë në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ditëve të fundit, Kurti dhe Vuçiç kanë këmbyer akuza për sulmin në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Serbia mohon se qëndron prapa sulmit dhe ka thënë se ka nisur hetimet e veta për këtë rast.