Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në një takim me misionin e OSBE/ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE vlerësoi situatën parazgjedhore në Shqipëri. Bylykbashi së bashku me Sekretarin për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore Ivi Kaso dhe përfaqësuesin ligjor të PD-së në KQZ, Franc Nuri paraqitën tablonë e plotë të situatës së rënduar politike, institucionale dhe parazgjedhore.
Ata theksuan se rekomandimet e OSBE/ODIHR janë radiografia më e mirë e shkeljes brutale të standardeve ndërkombëtare dhe kushtetuese për zgjedhje demokratike.
“Shitblerja e votës, përdorimi i shtetit nga PS për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve, bashkëpunimi i politikës, shtetit dhe krimit të organizuar, cenimi i lirisë dhe sekretit të votës që janë shqetësime madhore të OSBE/ODIHR, tashmë reflektohen me shqetësim edhe në rezolutat e ashpra të CDI dhe EPP ku stampohet imazhi i narko-shtetit.
Bllokimi i reformës zgjedhore dhe i adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR nga PS, përpjekjet për të penguar votën e emigrantëve, kontrolli politik mbi KQZ dhe gjykatën, angazhimi i krimit të organizuar në zgjedhjet e ardhshme, mosveprimi i SPAK dhe prokurorisë së zakonshme kundër krimeve zgjedhore etj, përbëjnë shqetësime serioze me të cilat opozita do të përballet frontalisht.”, shkruan Bylykbashi.
Në fund ai thotë që kërkuan që OSBE të sjellë një mision vëzhgimi sa më të madh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si kontribut dhe shenjë e vëmendjes ndërkombëtare për zgjedhje demokratike në vend.