Evropa, apo më saktë ajo që njihet si Bashkimi Evropian është në një krizë demografike. Llogaritet që deri në 2100ën do të ketë humbur rreth 117 milionë njerëz, sipas projeksioneve të OKB-së. Kjo është e barabartë me numrin e Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe Danimarkës të marra së bashku. Elon Mask së fundmi e ka quajtur krizën demografike evropiane si “kërcënimin më të madh të qytetërimit [perëndimor]”. Më pak punëtorë do të thotë më pak prodhim, më pak burime, më pak mbështetje për programet mbështetëse që janë sidomos kritike për shtresat e varfra. Por edhe shtresat e mesme ballafaqohen me pasiguri për punën, për të ardhurat dhe kësisoj mundësi rrëshqitje në varfëri brenda një kohe të shkurtër.
Sipas përllogaritjeve,çdo rënie me 1 përqind në popullatë sjell rënie me 2 përqind në prodhimin e përgjithshëm bruto. Nga ana tjetër çdo pensionist ka nevojë për katër të punësuar me kohë të plotë për të ruajtur një skemë të qëndrueshme sigurimesh shoqërore. Deri në 2050-ën, llogaritet që një në tre evropianë do të jetë mbi 65 vjeç. Punonjës do të ketë 35 milionë më pak. Gjithashtu në 2050-ën llogaritet që në BE të jenë vetëm 1.5 punëtorë (apo një punëtor e gjysmë) për pensionist, duke i bërë këto skema jo vetëm deficitare, por në thelb të falimentuara.
E gjitha kjo reflektohet dhe në strukturën sociale të shoqërisë. Njerëzit martohen më vonë, bëjnë më pak fëmijë dhe hyjnë në një krizë ciklike demografike. Kësisoj martesat kanë rënë me 40 përqind që nga 1990. Gratë po lindin mesatarisht 31 vjeç. Një në katër gra zgjedh të rri pa fëmijë. Nga ana tjetër, çmimet e shtëpive janë rritur me 120 përqind qysh nga viti 2000. Mosha mesatare e blerjes së shtëpisë së parë është 34 vjeç. Natyrisht me kredi. Në SHBA është mesatarisht 20 vjet më vonë. Borxhet studentore janë në rritje progresive. Sërish, në SHBA është një nga problemet më akute shoqërore. E gjitha kjo në mos pamundëson, vështirëson ndjeshëm krijimin e familjeve.
Evropa jugore që dikur ka pasur ndër normat më të larta të natalitetit kryeson në lindshmëri të ulët ndër vendet e BE-së. Spanja kryeson me vetëm 1.19 fëmijë për grua, e ndjekur nga Italia me 1.24 fëmijë dhe Portugalia me 1.28 fëmijë. Mesatarja e vendeve të BE-së është vetëm 1.5 fëmijë për çift. Ndërkohë që 2.1 është minimumi i nevojshëm për ruajtjen e status quo-së. Ndërkohë për krahasim SHBA e ka 1.7 fëmijë për grua, Lindja e Mesme 2.8 fëmijë ndërsa Afrika kryeson me 4.3 fëmijë.
Vende të ndryshme të BE-së, sidomos vendet e Evropës Qendrore apo Vishegradit siç quhen ndryshe kanë ndërmarrë politika agresive të mbështetjes së familjeve. Hungaria është e para dhe ka krijuar dhe një ministri të posaçme për këtë gjë. Shteti i ofron nënave me katër fëmijë, përjashtim të përjetshëm nga taksat, cikle falas të mbështetjes së fertilizimit in vitro për çiftet, kredi të butë dhe grante për blerjen e shtëpisë së parë etj. Polonia gjithashtu ofron 500 euro për fëmijë, plus bonuse lindje dhe shtëpi të subvencionuara për çiftet. Gjermania ofron 14 muaj lindjeje të paguar plotësisht, 219 euro në muaj për fëmijë, çerdhe dhe kopshte falas dhe më pak taksa për të martuarit. Vende të tjera jashtë Europës ofrojnë politika edhe më agresive. Japonia dhe sidomos Koreja e Jugut mbajnë rekording për incentivat financiarë dhe jo vetëm për çiftet e reja dhe mbështetjes për fëmijë. Gjithçka për t’i paraprirë krizës demografike.
Po si paraqitet ndërkohë situata në Shqipëri? Dikur me moshën mesatare më të re në Evropë (27 vjeç në 1990-ën), sot mosha mesatare në Shqipëri është rritur në 42.5 vjeç sipas censusit të fundit, gati sa mesatarja e BE-së. Por ajo qëështë më shqetësuesja, është fakti që për rreth një dekadë është rritur me gati 10 vjet, çka shënon dhe rritjen më të shpejtë në kontinentin evropian. Në 2100-ën, sipas projeksioneve të OKB-së llogaritet të shkojë në 61 vjeç, me këto ritme. Akoma më shqetësuese janë projeksionet e OKB-së në lidhje me popullsinë totale në Shqipëri në këtë vit që variojnë nga vetëm 800 mijë në skenarin pesimist në 1.8 milionë në atë më optimistin.
Aktualisht 1 në 5 persona është 65 vjeç e lart. Në vend më shumë se 64 mijë persona jetojnë të vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve ose braktisjes prej tyre. Ndërkohë që punonjësit shëndetësorë dhe ato socialë po ikin në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së për shkak të pasigurisë së një jete të dinjitetshme në Shqipëri. Pensioni mesatar i shqiptarëve që kanë fatin të kenë pension të plotë dhe që janë afro gjysma e totalit, është vetëm 170 euro pavarësisht tam tam-ëve qeveritarë, ndërkohë në Kosovë është dyfishi me 340 euro, në Malin e Zi 450 euro etj, çka tregon diferencën e thellë me shtete më të vogla dhe të reja në raport me Shqipërinë. Por edhe thellësinë e propagandës që në vend që të reflektojë me politika sociale këtë hendek, qartazi prioritetet i ka gjetkë.
Përsa i përket mbështetjes së familjeve të reja, çdo gjë që thamë më sipër për BE-në është dramatikisht më keq. Rrogat shumë herë më të ulëta, ndërkohë që çmimet e apartamenteve me Tiranën që renditet qyteti i pestë më i shtrenjtë në Evropë për çmimin e metrit katror janë kacafiu. Hendek i papërballueshëm për këdo profesionist apo menaxher me të ardhura mesatare në Shqipëri. Asnjë politikë largpamëse të mbështetjes së çifteve të reja, stimulimit financiar për të pasur fëmijë (me pagesa mujore etj si gjetkë), i përmasimit të infrastrukturës dhe cilësisë në arsimin parauniversitar, i sistemit shëndetësor të përballueshëm dhe cilësor dhe të tjerë sektorë që nuk ofrojnë cilësi dhe shtyjnë shqiptarët në emigracion përherë e më tepër.