Po rikthehet Lufta e Ftohtë. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u përplas me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në takimin vjetor të OSBE-së për sigurinë, duke akuzuar Perëndimin se rrezikon përshkallëzimin e luftës në Ukrainë. Lavrov akuzoi Perëndimin për ringjalljen e Luftës së Ftohtë dhe provokimin e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ai tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara u nxitën nga dëshira për të “rikthyer NATO-n në qendër të vëmendjes politike”. “Pas turpit në Afganistan, kishte nevojë për një armik të ri të përbashkët”, tha Lavrov gjatë ndalesës së tij të parë në një vend të BE-së që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.
“Rezultati i kësaj është rimishërimi i Luftës së Ftohtë, por tani me rrezikun shumë më të madh të përshkallëzimit të saj në fazën e nxehtë”.
Sekretari Blinken fajësoi Rusinë për përshkallëzimin situatës në rajon, duke vënë në dukje se ministri i jashtëm rus, folësi i katërt në takim, nuk qëndroi për të dëgjuar fjalimet e homologëve të tjerë.
“Le të flasim për përshkallëzimin”, tha Sekretari Blinken, duke përmendur dislokimin e forcave të Koresë së Veriut në Evropë, përdorimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi për të sulmuar Ukrainën, vendimin e Rusisë për të ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore dhe sulmet e Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Lavrov foli për të drejtën sovrane të çdo shteti anëtar për të bërë zgjedhjet e veta”, tha Sekretari Blinken. “Kjo është pikërisht ajo për të cilën bëhet fjalë: të drejtën sovrane të Ukrainës dhe popullit ukrainas për të bërë zgjedhjet e tyre për të ardhmen, jo që ato zgjedhje të bëhen nga Moska”.