Tirana ka mirëpritur kryetarët e bashkive të Ballkanit në Forumin Urban të B-40, një ngjarje që ka mbledhur liderë të qyteteve rajonale për të diskutuar mbi zhvillimin urban dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se fokusi kryesor i politikave të qytetit është te fëmijët, duke i cilësuar ata si “100% e ardhmja” e qytetit dhe rajonit.
“Ne jemi fokusuar te fëmijët sepse ata janë 100% e ardhmja”, tha Veliaj, duke shtuar se: “Unë jam rritur në këtë qytet, kur kishte vetëm 200 mijë banorë dhe të gjithë ishin shqiptarë. Sot është një qytet ku vijnë me mijëra turistë çdo muaj. Vendet mund të ndryshojnë, qytetet mund të ndryshojnë, dhe nga një vend i izoluar, me një regjim që i shkatërroi të gjitha, sot jemi një vend i hapur, ku na vizitojnë kaq shumë miq nga e gjithë bota”.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, e vlerësoi Tiranën si një model të bashkëpunimit rajonal dhe si një qytet që ka zhvilluar një rritje të qëndrueshme, duke u bërë një hub kulturor dhe inovacioni për rajonin.
“Jam tej mase i lumtur që jam këtu sot me ju, teksa mbyllim mandatin e suksesshëm të Tiranës si Presidente e rrjetit tonë të qyteteve ballkanike B-40. Nën lidershipin e kryetarit të bashkisë, vëllait tim, Erion Veliaj, i cili mori frerët e drejtimit në fillim të vitit 2024, B-40 është bërë pikërisht një shembull ndriçues i bashkëpunimit në Ballkan dhe më tej. Falë lidershipit të tij vizionar, Tirana është rritur në mënyrë të qendrueshme, duke çimentuar pozicionin e saj si një hub ndërkombëtar i kulturës dhe inovacionit, dhe një fuqi prodhuese për rrjetin B-40 dhe rajonin. Forumi Urban i Tiranës është një dëshmi e këtij vizioni”, tha Imamoglu.