Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat tha se Komisoni i Venecias foli qartë në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Bylykbashi u shpreh se Komisioni i Venecias konstaton që Kuvendi është i detyruar që të dërgojë çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës në Gjykatë.
“Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e Edi Ramës dhe shumicës socialiste për t’u fshehur pas parimit kushtetues të ndalimit të mandatit detyrues apo ndryshe mandatit të lirë të deputetit. Komisioni i Venecias thekson se ky parim do të thotë se deputeti është deputet i Republikës, përfaqësues i popullit dhe është i lirë në qëndrimet dhe votën e tij nga vullneti i partisë që e ka kandiduar, përfaqëson apo edhe i elektoratit që e ka votuar.
Por ky parim nuk zbatohet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse detyrimi për Kuvendin dhe çdo deputet që të zbatojë Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk përbën çështje vullneti të lirë, por zbatim të Kushtetutës. Ky detyrim buron nga parimet e kushtetutshmërisë, shtetit të së drejtës dhe lojalitetit kushtetues mes organeve kushtetuese.”, tha ai.
Bylykbashi tha se “Komisioni i Venecias thekson se Gjykata ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet nga një votim apo nga vullneti i një shumice parlamentare”.
Ai theksoi se partia demokratike e konsideron opinionin e Venecias si një goditje të fortë për përpjekjet e Ramës për të bllokuat zbatimin e Kushtetutës.