Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Faisal Ghazi Hifzi, në një takim ku u diskutua për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të dy vendeve. Të dy palët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit dhe rikonfirmuan angazhimin për implementimin e marrëveshjeve të firmosura më parë.
Në fokus të diskutimeve ishte rritja e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave. Po ashtu, u dakordësua realizimi i një vizite të një delegacioni të lartë të Policisë shqiptare në Arabinë Saudite, për të mësuar nga praktikat më të mira të strukturave të luftës kundër krimit.