Babai i Martin Canit, Engjëll Cani, ka dhënë për herë të parë një deklaratë lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi pranë Shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ai ka thënë se nuk ka pasur dijeni për një konflikt që djali i tij kishte pasur 4 ditë para ngjarjes me autorin e dyshuar, Mario Përlleshajn.
Ai ka shprehur shqetësimin se shkolla ose instancat e tjera nuk e kishin njoftuar për këtë konflikt, dhe vetëm pasi shkoi në spital, ai mori vesh për ngjarjen tragjike. Sipas babait të viktimës, familja e autorit të dyshuar nuk e ka kontaktuar asnjëherë pas ngjarjes.
Engjëll Cani gjithashtu ka treguar se bashkëshortja e tij ka marrë vetëm një telefonatë nga shkolla për të njoftuar për ngjarjen, por tentativat e tij për t’u lidhur me stafin e shkollës kanë mbetur pa përgjigje. Ai ka marrë gjithashtu sendet e sekuestruara të Martin Canit, përfshirë çantën e shkollës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes.
Mario Përlleshaj, autori i dyshuar i vrasjes, është arrestuar dhe ndodhet në burg, duke kundërshtuar akuzat me pretendimin se ngjarja ka ndodhur në kushte vetëmbrojtjeje. Akti i tij po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.