Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se ditën e sotme në orën 14:00 do të bëhet demolimi i urë eksistuese të Babrroit, e cila do të realizohet me shpërthim të kontrolluar.
IKMT thotë që do të marren masa strikte dhe do të ndalohen të kalojnë këmbësorët dhe mjetet afër urës.
“Me qëllim realizimin e punimeve të demolimit të urës njoftojmë të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugëve se, për arsye sigurie, do të ndërpritet qarkullimi i këmbësorëve dhe mjeteve në këtë pjesë. Gjatë kësaj periudhe, do të ndalohet kalimi në afërsi të urës për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Për çdo qytetar që ka nevojë për kalim në këtë zonë, mund të përdorë rrugët alternative.
I gjithë ky proces është i nevojshëm për të siguruar një infrastrukturë të re dhe më të qëndrueshme, duke garantuar sigurinë e lëvizjes në të ardhmen.
Autoritetet lokale dhe shërbimet e sigurisë do të jenë të pranishme në terren për t’u siguruar që të respektohen rregullat dhe për të udhëzuar qytetarët për çdo ndryshim në planin e qarkullimit.”, thuhet në njoftimin e IKMT.