Një vendim që nxeh akoma më shumë betejën pas shortit. UEFA ka dënuar të premten Federatën e Futbollit të Serbisë për sjellje raciste të tifozëve serbë në dy ndeshje të Ligës së Kombeve, përfshirë për përpjekjet e tyre për ta djegur flamurin e Shqipërisë në Zvicër.
Gjatë ndeshjes Zvicër –Serbi në nëntor, tifozët serbë u xhiruan duke tentuar t’ia vënë zjarrin një flamuri të Shqipërisë. UEFA tha se komiteti i saj disiplinor e akuzoi Federatën e Serbisë për “sjellje raciste dhe/apo diskriminuese” në Zvicër, më 15 nëntor, si dhe në shtëpi kundër Danimarkës tri ditë më vonë.
UEFA tha se ia ndaloi federatës serbe të shesë bileta për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares jashtë vendit në garat e UEFA-s, si dhe e urdhëroi t’i mbyllë pjesë të stadiumit për dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi. UEFA gjithashtu e ka gjobitur federatën serbe me 173.000 euro në total.
Të hënën, komiteti ekzekutiv i UEFA-s pritet të konfirmojë se Serbia dhe Shqipëria do ta organizojnë bashkërisht Kampionatin Evropian të futbollit për nën 21-vjeçarët në vitin 2027.