Përgjigja e Komisionit të Venecias për kërkesën e Parlamentit Shqiptar, për raportin që duhet të ketë Parlamenti me Gjykatën Kushtetuese, dhe diskutimi për interpretimin e këtij këshillimi ligjor, vetëm sa vuri në dukje funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Megjithëse përgjigja ishte e qartë, që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe duhet të zbatohen, mazhoranca vazhdon ta interpretojë se Venecia njeh autonominë parlamentare dhe vendimet e Parlamentit nuk vihen në diskutim nga asnjë pushtet tjetër, qoftë kjo edhe Gjykata Kushtetuese.
Vërtetë që Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, por kjo nuk mund të vërë në dyshim ndarjen e pushteteve, balancën dhe kontrollin e tyre, si dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Kjo shprehet qartë dhe në Kushtetutën Shqiptare, që i njeh Gjykatës Kushtetuese kontrollin mbi kushtetuetshmërinë e ligjeve.
Interpretimi mbi interpretimin e rekomandimit të Venecias tregon qartë se si ka përfunduar shteti i së drejtës në Shqipëri dhe cfarë përfaqëson Parlamenti Shqiptar.
Regjimi në Shqipëri ka kohë që është kthyer në një autokraci. Pushteti është i personalizuar nga kreu i regjimit, nuk ka balancë të pushteteve dhe për rrjedhojë drejtësia është e kapur dhe institucionet e saj nën komandën dhe presionin e liderit. Ky regjim, që shpreh hapur tiraninë e mazhorancës, nuk shpreh as interesat e shumicës, por të diktatorit që ka kapur shtetin. Regjimi mori pushtetin me aleancën e qelbësirave, lidhjen me krimin e organizuar dhe është kthyer sot në një diktaturë alla Bashar Al-Assad, me të vetmin ndryshim që nuk bën pogrome ndaj njerëzve por largon shqiptarët nga vendi i tyre, shet pronat kombëtare dhe shpërdoron financat publike.
Për diktatorin, institucionet e shtetit janë pronë e tij në funksion të mbajtjes së pushtetit të tij të pakontrolluar. Parlamenti, që sot vetë deklaron për “fuqinë e tij” dhe kërkon respektimin e autonomisë së tij si burimi kryesor që mbart sovranitetin e Republikës, ka kohë që është shtypur dhe depersonalizuar si një burg i të dënuarve vullnetarë, ku mazhoranca të bindet ndaj veprimeve të diktatorit Rama dhe ngre kokën vetëm për të goditur opozitën.
Ky Parlament është përqeshur, kur autokrati flet pa fund si Kastro dhe Chavez dhe bën lloqe me parlamentarët duke folur nga Kico Spiri e deri tek Shekspiri; është depersonalizuar, kur diktatori kalon ligje nominale në favor të bizneseve që përkrahin atë; është kriminalizuar, kur mazhoranca ka kaluar ligje për shpërdorimin e pronave publike (projekti i Portit të Durrësit) apo shkeljes së sovranitetit të vendit (Marrëveshja Rama-Meloni); është poshtëruar, kur nuk ka pranuar kërkesën për të dënuar genocidin e ushtruar ndaj popullit Shqiptar nga regjimi kriminal i Milloshevicit në Serbi.
Kjo mazhorancë e mjerë, e nëpërkëmbur dhe e përdorur nga Autokrati, sot ka ngritur zërin për të respektuar autonominë parlamentare, pa menduar se po përdoret në mënyrë të përsëritur nga Autokrati për të mbrojtur politikat e tij korruptive. Ajo nuk e ka mbrojtur këtë parim edhe kur institucione të tjera e kanë sfiduar duke shkelur Kushtetutën dhe marrë nën hetim liderin e opozitës.
Diskutimi i fundit në Parlament për interpretimin e rekomandimit të Venecias tregoi se regjimi nuk ka vullnet politik të respektojë institucionet e pavarura dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilat i konsideron si anekse të pushtetit të tij.
Tregoi që në një regjim putinesk, Parlamenti është vetëm një vegël në duart e Diktatorit. Ajo që ka rëndësi për shqiptarët është fakti se kjo “lojë institucionesh” nuk është vetëm një lojë për ta shitur se Shqipëria është demokraci funksionale, por mbi të gjitha për të dëshmuar që Shqipëria është shumë larg plotësimit të kritereve për tu futur në BE. Jo se regjimi nuk njeh parimet, por ajo që do të realizojë është larg BE-së dhe vlerave perëndimore.