Publicisti Veton Surroi ka analizuar periudhën katërvjeçare të qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke vënë theksin në disa elemente. Surroi e konsideron të rëndësishëm faktin që ky është mandati i parë i plotë katërvjeçar në historinë e qeverisjes së Kosovës, duke e cilësuar si një fazë të re të stabilitetit politik në vend.
“Ajo çka mund të thuhet është se ky është mandati i parë që përmbyllet në katër vite. Është mandati i parë i plotë. Dhe kjo demonstron një fazë të re në zhvillim politik të Kosovës. D.m.th. ka një stabilitet politik të cilin Kosova nuk e ka pasur. Stabilitet natyrisht relativ brenda kushteve të cilave gjendemi”, ka thënë Surroi.
Një tjetër element që Surroi e vlerësoi ishte forcimi i pranisë së shtetit në tërë territorin e vendit, një hap që ai e konsideroi jetik për sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit.
“Elementi i dytë është që kemi gjatë kësaj periudhë, forcim të pranisë të shtetit të Kosovës në tërë territorin e vendit si një element pozitiv”, ka shtuar Surroi.
Gjithashtu, Surroi nënvizoi konsolidimin e opozitës gjatë kësaj periudhe, që sipas tij, ka sjellë një balancë politike në vend.