Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është paraqitur më 16 dhjetor në Prokurorinë Speciale, me gjithë ftesën që i ishte bërë javën e kaluar për të dëshmuar sot në orën 9:30 lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KosovaPress.
Nga zyra e kryeministrit thanë se ai është jashtë vendit në “një agjendë të konfirmuar kohë më parë”.“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë.
Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, tha Kryeziu më 16 dhjetor.
Albin Kurti nuk paraqitet në prokurorinë speciale: Jam jashtë Kosovës