Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pretendoi të hënën se ushtria e vendit “nuk dihet përse” po mban të fshehtë disa hollësi lidhur me dronë të pashpjegueshëm që po fluturojnë natën mbi shtetet lindore amerikane, por Shtëpia e Bardhë më vonë minimizoi të dhënat dronët.
“Ushtria jonë e di … diçka e çuditshme po ndodh”, u tha zoti Trump gazetarëve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, në konferencën e tij të parë të gjerë me gazetarët që kur u zgjodh për një mandat të ri katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, mandat që e fillon muajin e ardhshëm.
Për javë të tëra, banorët e shtetit të Nju Xhersit si dhe disa shteteve të tjera në veri dhe jug të vendit, përgjatë vijës bregdetare të Oqeanit Atlantik, kanë njoftuar se kanë parë më shumë se 5,000 dronë.
Por autoritetet kanë arritur në përfundimin se shifra është jashtëzakonisht e fryrë.
Këto zhvillime u kanë dhënë zë teorive të ndryshme konspirative, mes tyre se bëhet fjalë për akte spiunazhi të vet qeverisë amerikane, apo se dronët janë lëshuar nga Irani, nga një anije që ndodhet jashtë ujërave teritoriale, në lindje të Shteteve të Bashkuara.
Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve: “nga vlerësimi ynë në këtë fazë rezulton se aktiviteti përfaqëson dronë tregtarë, dronë të zbatimit të ligjit ose dronë që ngrihen nga individë për arsye vetjake dhe të gjithë veprojnë ligjërisht”.