Ditën e sotme ashtu sikur pritej Partia Socialiste miratoi në komisionin e Ekonomisë projektligjin për faljen e gjobave, ndërsa të enjten pritet të miratohet në Kuvend. Projektligji u votua nga deputetët socialistë të Komisionit opozita u largua, pasi akuzon mazhorancën se po e përdor për vota.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku vlerësoi çdo nismë ligjore që i shërben interesit publik, por kritikoi qasjen selektive të mazhorancës në përfshirjen e propozimeve:
”Më vjen mirë që propozimi i z. Braçe erdhi aq shpejt në axhendë, ndërkohë që opozita ka vite që propozon ligje dhe ato nuk diskutohen. Kam bërë një propozim ligjor që në fillim të tetorit dhe ende po pres që të duket në ndonjë axhendë. Shpresoj të kemi fatin tuaj, z. Braçe!” tha ajo.
Sipas mazhorancës projektligji do të anulojë të gjitha gjobat e vendosura për ndërtimet për strehime, për qëllime të punës në bujqësi dhe blegtori. Gjithashtu përfshihet edhe anulimi i të gjitha gjobave të vendosura gjatë pandemisë nga 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024. Pas miratimit në Kuvend, ligji do të hyjë në fuqi prej fundit të këtij muaji.