Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka reaguar ndaj akuzave të opozitës lidhur me tenderin e zhvilluar nga Operatorin i Blerjeve të Përqendruara për blerjen e ushqimeve për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Gonxhja me anë të një postimi shprehet se “Opozitë me menu fikse një javë lakra, java tjetër tarator… këtë javë ca portale ngritën topin, që e zhyti PD në fundjavën fletërrufe! Fushata afron e racioni i baltës shpeshtohet, por edhe pse një opozitë jo objektive dëmton vetëm vetveten, duke mbetur gropë nga mentaliteti i anatemimit me të dëgjueme e copy-paste, apo duke humbur besueshmëri sepse as pyet, as informohet zyrtarisht, as analizon e as përpiqet të ndajë shapin nga sheqeri, me korin “nxi se dicka ngjit”, pa bërë kurrë dallimin mes fakteve dhe llafeve, mes ligjit dhe dellit – po publikoj grafikat e krenarisë së OBP!”
“Operatori i Blerjeve të Përqendruara në më pak se 8 muaj nga themelimi si sh.a. ka bërë revolucion në shërbimin e prokurimit publik, me përgëzime nga homologët evropianë, UNOPS, duke u kthyer në shembull kthese në sektorin më problematik e vulnerabël, duke rritur transparencën, kursimin e fondeve publike, konkurrencën, risitë, dinjitetin e administratës shqiptare dhe leverdisshmërinë për AK – klientët, duke fuqizuar tregun e lirë shqiptar, duke shpejtuar procedurat, duke eliminuar vonesat, hilet dhe subjektivitetin, duke garantuar cilësinë dhe standardet e mallrave dhe shërbimeve të kontraktuara, çka vërtetohet nga pasqyrat statistikore!
OBP për herë të parë publikon në kohë reale dhe njofton operatorët ekonomik që regjistrohen në sistem, për çdo garë e tender të shpallur, përmes një platforme online – FALAS!
OBP lancon në kohë rekord online Katalogun Digjital ALBZONE për autoritetet kontraktore, ku porosia kryhet në kohë reale, mes termave e çmimeve të unifikuara e certifikuara!
OBP si ent me vetëfinancim, çdo fitim pas taksave do ta investojë në art e kulturë, një tjetër e mirë publike kjo!
Cdo ofertues që shpallet fitues nga OBP, e mban vetë përgjegjësinë për çdo detyrim ligjor, deklarimi konflikti interesi apo zbatim të akteve në fuqi! Sikurse OBP auditohet, monitorohet dhe është subjekt i kontrollit për çdo veprim, qendrim e praktikë zyrtare!
Edhe pse termat & specifikimet teknike hartohen nga autoritetet kontraktore, OBP po punon për mbështetjen me ekspertizë, automatizimin dhe informatizimin e plotë të procesit, duke ndihmuar për mirëpërcaktimin e fondit limit dhe përfshirjen e sa më shumë ofertuesve!”, shkruan Gonxhja.