Për më shumë se gjysmë viti po flitet në BE për heqjen e masave ndaj Kosovës. Por ato nuk janë hequr, as gradualisht e as plotësisht, e as nuk do të hiqen para zgjedhjeve në Kosovë. Sepse disa vende të BE-së nuk duan që ato të hiqen dhe vetëm përdorin procedurat për t’i shtyrë ato. Këto masa, sipas shumë diplomatëve të BE-së, kanë shkuar shumë përtej asaj që kishin rënë dakord në qershor 2023 kur u vendosën. Dhe nuk janë transparente, nuk është e qartë baza ligjore për mbajtjen e tyre dhe nuk kanë besuar se ato do të përfshijnë edhe projekte të lidhura me sundimin e ligjit, reformat në drejtësi, ujin e pijshëm dhe ndihmën personave me aftësi të kufizuara. Pra nuk kanë qenë masa “të kufizuara”. Së paku në fund të javës dëgjuam se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kërkon heqjen e tyre. Kjo do të duhej të thotë se Shqipëria, e cila ndër të parat mbështeti masat dhe i vendosi edhe vetë ato ndaj Kosovës, i ka hequr ato tash.
Javëve të fundit në shumë diskutime kushtuar procesit të zgjerimit nëpër grupet punuese të Këshillit të BE-së, aty ku bëhen bisedimet mes vendeve anëtare, është diskutuar më shumë sesa që ishte pritur për masat ndaj Kosovës dhe heqjes së tyre. Si kompromis kishte mbetur që në konkluza të thuhej se “Këshilli do të heqë masat gradualisht, paralelisht me hapat që do të ndërmarrë Kosova për depërshkallëzim në veri”. Por në fund të diskutimeve, fraza “Këshilli do të heqë masat” u zëvendësua me “BE-ja do t’i heqë masat”. Dhe kjo ka domethënie të madhe. Sepse Këshilli asnjëherë nuk ka marrë vendim formal që të vendosen masat ndaj Kosovës, ndonëse ka pasur rol. Prandaj, nëse nuk ka vendosur të vendosen masat nuk mund as të vendosë të hiqen ato. Dhe, për të mos gabuar në procedura, është përdorur emërtimi “BE-ja” që kap më shumë sesa “Këshilli”.
Shumica e madhe e vendeve anëtare të BE-së duan që masat të hiqen menjëherë dhe tërësisht. Sepse mendojnë se ato më nuk kanë kuptim, nuk janë të balancuara pasi nuk ka masa ndaj Serbisë, dhe fundi i fundit edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së qysh në qershor ka dhënë rekomandimin që ato të hiqen, pasi ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për heqjen e tyre.
Masat ishin vendosur kur Bashkimi Evropian, në bashkëpunim dhe bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republikën e Shqipërisë, kishin vendosur të ndëshkojnë Kosovën për shkak se kishin vlerësuar se ka bërë veprim “të njëanshëm dhe të pakoordinuar” me dërgimin e kryetarëve të komunave në veri në ndërtesat komunale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin dhënë fund një stërvitjeje ushtarake ku merrte pjesë edhe Kosova, ndërsa Shqipëria kishte anuluar një takim të përbashkët ndërqeveritar me Kosovën. Nga shumë burime të BE-së ishte mësuar se edhe veprimet e Shqipërisë ishin koordinuar me BE-në dhe kishin për qëllim që të rrisin izolimin edhe ndërkombëtar edhe rajonal të udhëheqjes politike të Kosovës. BE-ja besonte se kur SHBA-ja dhe Shqipëria rreshtohen me masat ndaj Kosovës, atëherë Prishtina do ta kuptojë më shpejt realitetin e situatës.
Por përderisa masat nga ana e Shqipërisë nuk dukeshin të ishin formale, prandaj nuk dihej as fati dhe statusi i tyre sot, ato amerikane nuk duken se po zbatohen më, ato të BE-së janë në fuqi dhe kanë pasoja serioze për Kosovën.
BE-ja këto sanksione i kishte vendosur me një shpejtësi të paparë deri atëherë, me procedura jashtëzakonisht të shpejta, dhe vazhdojnë të mbeten unike ndaj një vendi të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ideja për masat ndaj Kosovës kishte dalë së pari nga i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak që mori edhe mbështetjen e shefit të tij Josep Borrell. Këtë ide e kishin ndarë së pari me disa vende anëtare, e pastaj ajo ishte përpunuar edhe në bashkëpunim me ish-shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Sonyong dhe me drejtorin gjeneral në Drejtorinë e përgjithshme për zgjerim dhe fqinjësi Jan Koopman. Me kujdes ishin dizajnuar masat që do të mund të vendoseshin nga Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i lartë, pa pasur nevojë që për to të vendoset formalisht në Këshillin e BE-së ku do të duhej në favor të votojnë të gjitha vendet anëtare. Këto masa u ishin sqaruar edhe deputetëve të Parlamentit Evropian. Por në asnjë moment në mënyrë specifike për vendosjen e masave ndaj Kosovës nuk është votuar në Këshillin e BE-së. As nuk ka pasur ndonjë njoftim formal të zakonshëm nga BE-ja për ndonjë vendim të tillë.
Vendet anëtare të BE-së më 3 qershor të vitit 2023 ishin pajtuar që Përfaqësuesi i atëhershëm i lartë, Borrell, të lëshojë një komunikatë në emër të 27 vendeve anëtare rreth eskalimit të situatës në veri të Kosovës. Në atë deklaratë, mes tjerash, thuhej se BE-ja “është e gatshme të implementojë masa të rrepta”, duke paralajmëruar se do të ketë pasoja negative në rast të dështimit.
“Ne ftojmë të dyja, Kosovën dhe Serbinë që menjëherë dhe pa kushte të ndërmarrin masa për të deeskaluar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi tjetër të pakoordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të implementojë masa të rrepta. Dështimi për të de-eskaluar tensionet do të çojë deri te pasojat negative”, thuhej në këtë komunikatë.
Në këtë komunikatë, kryesisht BE-ja me kërkesa i drejtohej Kosovës. “Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo-eskaluese dhe menjëherë të suspendojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave të komunave në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte që nuk janë ndërtesa komunale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht inkluzive. Presim që Serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”, thuhet në këtë komunikatë.
Sa i përket Serbisë, BE-ja “shpreh shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.
Pra sipas saj, mbështetje paraprake për masa ishte dhënë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në rast se konsiderohet se njëra prej tyre nuk ka bërë sa duhet për të ulur tensionet. Por në rastin e Kosovës u vendosen masa pa pasur nevojë për mbështetje tjetër të vendeve anëtare. E kur u kërkuan masa ndaj Serbisë u tha se “kjo varet nga vendet anëtare”.
Informatat e para se Lajçak dhe Koopman i kishin përgatitur masat kishte rrjedhur më 13 qershor. Koha Ditore për herë të parë kishte shkruar po këtë datë se janë përgatitur ato. Dhe se u ishin prezantuar vendeve anëtare në Komitetin Politik dhe të Sigurisë. Flitej në atë kohë për pezullimin e ftesave për takime në nivel të lartë dhe vizitave bilaterale me përjashtim të atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës. Sanksioni i dytë do të ishte suspendimi i punës së grupeve të përbashkëta Kosovë-BE të krijuara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Sanksioni i tretë ndaj Kosovës ishte suspendimi i një financimi substancial të BE-së, duke nisur me pezullimin, aprovimin dhe implementimin e propozimeve të Kosovës në rundin e fundit të Fondit të investimeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe sanksioni i katërt për të cilin kishin folur Lajçak dhe Koopman ishte ulja e nivelit të pranisë në ngjarjet publike të lidhura me bashkëpunimin financiar të BE-së, ku përfshihen pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës.
Porosinë për Kosovën dhe Serbinë që menjëherë të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve në veri të Kosovës i kishin përsëritur më 27 qershor edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borell, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Duke folur para gazetarëve Borrell dhe Rama patën thënë se nuk duhet lejuar që tensionet mes Kosovës dhe Serbisë të rrezikojnë gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ju falënderoj ju z. kryeministër, i dashur Edi, për përpjekjet për të gjetur zgjidhje. Bëra të qartë se palët duhet të de eskalojnë situatën dhe të gjejnë rrugëdaljen në bazë të propozimeve të BE-së. Zgjidhja kërkon veprime të shpejta dhe shtetet anëtare pajtohen me këtë. Vendet anëtare po e humbin durimin dhe kërkojnë veprime të menjëhershme“ ka thënë Borrell, duke e falënderuar kryeministrin Rama për qëndrimet e tij.
Po atë ditë në një debat në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, Lajçak dhe Koopman kishin arsyetuar masat që ishin përgatitur ndaj Kosovës, ndonëse ishin kritikuar ashpër nga shumë deputetë se janë të ashpër ndaj Kosovës dhe jo edhe ndaj Serbisë.
Që të nesërmen masat i ishin komunikuar Qeverisë së Kosovës, por asnjëra palë, as BE-ja as Kosova nuk i kishin bërë publike. Koha Ditore kishte mësuar për këtë më vonë. Sanksionet ndaj Kosovës që së pari i kishin propozuar lehtësuesit e dialogut tashmë kishin hyrë në fuqi.
Kosova kishte nisur ndërmarrjen e disa hapave duke besuar se në këtë mënyrë do të ndikojë në heqjen e masave. Më 14 korrik të vitit 2023 nga BE-ja përmes zëdhënësit të saj kishin thënë se Kosova po bën “hapat e duhur”, por duhet të bëjë edhe disa hapa në mënyrë që të hiqen masat.
“Kjo përfshin zvogëlimin e menjëhershëm të pranisë së policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave, kryerje të vlerësimeve të rregullta të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe KFOR-in sipas nevojës, të shqyrtojë mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të pranisë, të mos bëjë asnjë lëvizje që mund të eskalojë situatën dhe të inkurajojë zgjedhjet e jashtëzakonshme sikur edhe krijimin e bazës ligjore për këtë”, pati thënë ky zëdhënës i BE-së.
Thirrjet që Serbisë t’i vendosen masa e që Kosovës t’i hiqen kishin ardhur sidomos pas sulmeve në Banjskë në shtatorë të vitit 2023, të cilat edhe Borrell i kishte quajtur si “sulme terroriste”. Por as Komisioni Evropian e as Shërbimi i Veprimit të jashtëm (EEAS) që e udhëheq Borrell nuk donin që të vendoseshin masat ndaj Serbisë. Kësaj radhe thoshin se “për këtë duhet të vendosin vendet anëtare”.
Kështu gjatë tërë kohës, edhe nga EEAS edhe Komisioni Evropian thirren në “vendet anëtare” kur duhet hequr masat ndaj Kosovës apo kur duhet të vendosen ndaj Serbisë.
Për më shumë se gjysmë viti po flitet në BE për heqjen e masave ndaj Kosovës. Por ato nuk janë hequr, as gradualisht e as plotësisht, e as nuk do të hiqen para zgjedhjeve në Kosovë. Sepse disa vende të BE-së, me në krye Francën dhe Italinë, nuk duan që ato të hiqen dhe vetëm përdorin procedurat për të shtyrë heqjen e tyre. Këto masa, sipas shumë diplomatëve të BE-së, kanë shkuar shumë përtej asaj që kishin rënë dakord në qershor 2023 kur u vendosen. Dhe nuk janë transparente, nuk është e qartë baza ligjore për mbajtjen e tyre dhe nuk kanë besuar se ato do të përfshijnë edhe projekte të lidhura me sundimin e ligjit, reformat në drejtësi, ujin e pijshëm dhe ndihmën personave me aftësi të kufizuara. Pra nuk kanë qenë masa “të kufizuara”. Së paku në fund të javës dëgjuam se edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kërkon heqjen e tyre. Kjo do të duhej të thotë se Shqipëria, e cila ndër të parat mbështeti masat dhe i vendosi ato ndaj Kosovës, i ka hequr ato tash.
Edhe formulimi i tashëm ku shprehet BE-se se do “t’i heq masat”, kushtëzohet me fjalët “gradualisht” dhe “paralelisht”. Ato mbeten të padrejta, të paqarta, jotransparente dhe të pakufizuara. Kjo u jep hapësirë vendeve anëtare që të vonojnë sa të duan heqjen e tyre duke e mbajtur Kosovën si vendin e vetëm nga rajoni të sanksionuar dhe të izoluar, po ashtu./KOHA