Këngëtarja Elhaida Dani ka folur për romancën e saj me balerinin Ledjan Agalliaj gjatë Festivalit të Këngës në RTSH, duke shpjeguar se lidhja e saj nuk ishte një “shfaqje”, por një dashuri e vërtetë. Ajo ka shpjeguar se ndonëse shumëkush e kritikoi dhe e quajti “tradhtare”, ajo nuk mundi të kontrollonte ndjenjat e saj.
Dani ka theksuar se lidhja e saj me Agalliaj, e cila filloi gjatë spektaklit “Dancing with the Stars”, shkaktoi shumë reagime negative, duke përfshirë akuza dhe paragjykime. Ajo përmendi se shpesh herë zemra e saj u bë objekt gjykimi, por gjithsesi nuk u ndal, duke u kthyer më e fortë.
“Ka momente në jetën e një artisti ku gjithçka që je, gjithçka që ke ndërtuar vihet përballë një bote që pret të të gjykojë. Ndonjëherë nuk janë dritat e skenës ato që të verbojnë por janë hijet paragjykimeve që të ndjekin pas. Isha në atë sallë, e mbani mend, në atë skenë, duke ndjerë çdo hap, ritëm, dhe po ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar askush. U dashurova!
Nuk ishte një akt, nuk ishte një shfaqje, ishte një ndjesi e pastër. Ajo që për mua ishte magji, për të tjerët u bë thjesht një arsye për të më gjykuar dhe për të më ndëshkuar. E keqja është që ti e ndjen shumë rëndë, shumë thellë si një takë të thyhet papritur dhe rrëzohesh.
Edhe unë u rrëzova, u rrëzova para syve që vëzhgonin çdo lëvizje timen, çdo hap, çdo shikim timin. Vetëm tre ditë mjaftuan që çdo gjë të ndryshonte, komente, sharje, akuza, më paragjykuan, më thanë tradhtare, njerëz që nuk më njihnin, që nuk e kuptonin zemrën time, ndërsa mbeta aty e brishtë, e thyer, por unë jam mësuar të luftoj.
Jam rritur me ëndrrën për të fituar. Jam rritur për të qenë ajo që nëna ime më thotë me krenari; kjo është vajza ime!”, u shpreh Elhaida Dani.