Për herë të parë pas shumë vitesh, Himara ka pritur Krishtlindjet ndryshe, me Babagjyshin që ka ardhur nga deti dhe është pritur nga qindra fëmijë që morën dhurata prej tij.
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka theksuar se ky aktivitet shënon fillimin e një serie ngjarjesh që do të pasojnë gjatë gjithë vitit, për të ofruar një atmosferë të veçantë dhe për të gjallëruar jetën kulturore të qytetit.
“ Sot për herë të parë pas shumë vitesh vendosëm që të hapim siparin e festave të Krishtlindjeve këtu në Himarë për të vazhduar më pas me aktivitete të tjera gjatë gjithë vitit. Himara nuk duhet parë më si një bashki vetëm për pushimet verore, por si një atraksion turistik 12 mujor. Ky është qëllimi i aktivitetit të sotëm që nis sot dhe do të kemi mundësi ta shikojmë Himarën gjatë 12 muajve të viti të mbushur me aktivitete. Banorët e Himarës edhe vizitore të kenë mundësi të vijnë të shijojnë Himarën, jo vetëm në fundjave, por gjatë gjithë sezonit dhe vitit, pasi atraksionet e sajë janë pafund”, tha Vangjel Tavo
Përveç vizitës së Babagjyshit, në Himarë po zhvillohet edhe një panair artizanësh nga të gjithë Shqipërinë, ku vizitorët mund të shijojnë punime qeramike, artistike dhe folklorike, si dhe të ndjekin performanca tradicionale si realizimi i qelesheve dhe gatimeve tipike.