Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin me degën e Kamzës ka folur rreth pasurive të palujtshme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Berisha u shpreh se vetëm gardëroba e fustaneve të Ajola Xoxës është vlerësuar në 1 milionë euro. Ai theksoi se këto para do të sekuestrohen dhe do të kthehen shqiptarëve.
“Erion Veliajn e akuzuan për 4 akuza shumë të rënda, por asnjë fjalë për djegësin e Tiranës. Asnjë fjalë për 5D. Iku, por nuk e lëshojmë ne, se u jap fjalën e nderit që ato pasuri do u kthehen shqiptarëve. Vetëm TVSH e garderobës së Velicës janë gjetur 240 mijë euro fatura, çka do të thotë të paktën 1 milionë euro gardëroba e fustaneve, jo e këpucëve. Se këpucët dhe çantat pastaj shkojnë firifiu. Ai nuk ka çfarë të thotë se janë të gjitha të sistemuara në dosje këto.
Pra ne shkojmë besimplotë, shkojmë ballëhapur tek çdo qytetar shqiptar. Shkojmë të vendosur për një dialog të sinqertë, me programin që i jep përgjigjen më të mirë interesave të secilit. Por edhe denoncimit më të fuqishëm të këtij grupi hajdutësh që jo Shqipëria, por as Europa nuk i ka njohur kurrë më parë. Edhe njëherë u uroj gëzuar festat e këtij viti. Uroj që secili nga ne të trgohet në lartësinë e misionit të tij, të takojë çdo ditë, nga mëngjesi gjer në darkë, të njohurit, fqinjët, cilido dhe të bisedojë shtruar këto probleme që biseduam sot së bashku. Ju garantoj se me fuqinë e të vërtetës, ne do krijojmë kështu frontin më të gjerë që ka njohur Shqipëria kundër këtij narkoshteti, kundër kësaj narkodiktaturë, regjimi më i urryer sot në Europë. Rrofshi ju, rroftë Kamza, rroftë Shqipëria.”, tha Berisha.