Vazhdon debati në Kosovë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka dalë në mbrojtje, kryeministrit Albin Kurti kur u pyet për Konferencën e thirrur nga kryeprokurori Blerim Isufaj. Haxhiu tha se Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë në Prokurorinë Speciale por ka ofruar disa ditë dhe data për ta dhënë dëshminë në zyrën e tij.
Kurti është ftuar këtë muaj nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në një rast korrupsioni, saktësisht për rastin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Ai nuk i është përgjigjur ftesës akoma, por i ka ftuar prokurorët të shkojnë tek ai.
Shumë zyrtarë qeveritarë dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet e kanë cilësuar të motivuar politikisht ftesën që prokuroria ia ka adresuar kryeministrit të Kosovës, meqë ajo është bërë në prag të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.