SPAK përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim 4 të pandehur për veprën penale korrupsion aktiv dhe pasiv i funksionarëve të drejtësisë për dosjen ‘Toyota Auris’. Të pandehur janë 4 persona, ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficerja e policisë gjyqësore pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda, Erjona Daupaj, avokati Radovan Cela dhe Astrit Vladi.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e korrupsionit në disa raste si dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm si dhe nxjerrje te sekretit te hetimit. Sipas prokurorisë të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet për të ndikuar tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin dhe gjykonin dosjen e 3.4 mln eurove që u bllokuar në Portin e Durrësit, me qëllim që të favorizoheshin të pandehurit. Por SPAK thotë se e ka ndarë këtë dosje në një tjetër fraksion për zyrtarë të tjerë të lartë që dalin nga hetimet.
“Me vendimin e prokurorëve të çështjes, më datë 26.12.2024 është vendosur ndarja e çështjes penale dhe veçimi i akteve në lidhje me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit, që kanë të bëjnë me faktet dhe rrethanat e përmëndura më sipër, si edhe në lidhje me biseda që kanë të bëjnë me fakte dhe rrethana të tjera që kanë dalë gjatë veprimeve hetimore. Konkretisht, nga aktet e këtij proçedimi penal janë veçuar aktet dhe janë rregjistruar proçedimet penale si më poshtë:
Së pari, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë të administruara gjatë hetimeve, në përmbajtjen e të cilave përmënden persona të tjerë në cilësinë e prokurorëve, gjyqtarëve, funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.
Së dyti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat dhe komunikimet që janë administruar gjatë hetimeve, nga të cilat ekzistojnë të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që kanë ushtruar funksionin e prokurorit, gjyqtarit apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë.
Së treti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve pasi nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve për këtë procedim penal janë krijuar të dhëna dhe dyshime se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera.
Lidhur me këto episode është regjistruar procedimi penal nr.26/1 datë 26.12.2024 dhe vijojnë që të kryhen veprimet e mëtejshme hetimore” thotë SPAK-u.
GJKKO më 31 korrik arrestoi ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, pasi akuzohet për ndërhyrje të paligjshme dhe ndikim te gjyqtarët e prokurorët për 8 çështje gjyqësore.
SPAK çon në gjyq dosjen ‘Toyota Auris’! Brenda vetëm ish-Kryeprokurori i Vlorës