Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi sot zv/ kryeministren Belinda Balluku për vjedhje dhe korrupsion. Blushi deklaroi se korrupsioni i tmerrshëm kriminal në sektorin energjetik të drejtuar nga Belinda Balluku shkëlqeu mbrëmë si drita e diellit me zhytjen e më shumë se gjysmës së vendit në errësirë totale, me pasoja të rënda për ekonomitë familjare dhe atë kombëtare.
“Ky stakim i dytë, që ndodh pas “blackout”-it të Qershorit, në kushtet kur digat janë plot, kur miliona euro taksa të shqiptarëve janë harxhuar për investime elektorale në rrjetin energjitik, kur qindra milion euro vijojnë të hanë “Tigri 1” dhe “Tigri 3” (dy TEC-e lundruese në Vlorë) që jo vetëm nuk ka prodhuar por nuk do të prodhojë asnjëherë asnjë kilovat energji në dobi të konsumatorit familjar, provon se fokusi i vetëm i Edi Ramës dhe Belinda Ballukut është vjedhja e përbindshme dhe jo garantimi me energji i qytetarëve”, tha Blushi.