Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se shqetësimi kryesor i familjeve shqiptare janë çmimet elarta dhe pagat e ulëta.
Basha thekson se Edi Rama dhe Sali Berisha po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ai thekson çdo votë për Berishën është mbështetje për Ramën dhe anasjelltas.
“Pas zbardhjes nga drejtësia të një pjese të masakrës zgjedhore të vitit 2021, ku u faktua se bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin i siguroi atij votat për të penguar ndryshimin, legjitimiteti moral dhe politik i kryeministrit është zero. Për këtë arsye, çyrbe-kryeministri është investuar prej 3 vitesh në mbajtjen në këmbë të ortakut të tij politik, Sali Berishës, me të cilin mbylli listat dhe amistoi të korruptuarit për t’i përcjellë mesazhe shantazhuese SPAK, sepse, pas 12 vitesh, nuk ka më përgjigje për hallet e qytetarëve, por kërkon përsëri pushtet vetëm për t’u mbrojtur nga hallet e tij me drejtësinë.
Ky teatër i shëmtuar, që serviret me këmbëngulje në çdo ekran, duhet refuzuar dhe ndëshkuar me votë në 11 maj, pasi është tashmë e qartë se çdo mbështetje për Berishën mban më pushtet Ramën, çdo mbështetje për Ramën mban si pseudo opozitë Berishën.
Fundi i tranzicionit është në dorën tuaj, vota për një ndryshim të vërtetë është mjeti juaj për të çelur një kapitull të ri për vendin, për një politikë me fytyrë njerëzore, që dëgjon me dhembshuri zërin tuaj dhe ofron zgjidhje për shqetësimet reale që keni.
Shqipëria meriton më shumë!”, shkruan Basha.