Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, është ekstraduar nga Turqia në Shqipëri pas 27 vitesh në arrati. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet për vrasjen e dy oficerëve të policisë, si dhe për një sërë krimesh të tjera, përfshirë trafikimin e drogës dhe urdhërimin e vrasjes së rivalëve të tij. I quajtur nga mediat britanike si “Mbreti i Kokainës”, Rexhepi ka krijuar një perandori të fuqishme droge që lidhi Kolumbinë dhe Ekuadorin me Europën.
Sipas “The Sun”, Rexhepi ka qenë një nga gangsterët më të rrezikshëm në Evropë, dhe krahasohet me Joaquín Guzmán Loera, i njohur si El Chapo. Ai arriti të shmangte kapjen për vite me radhë, duke realizuar disa arratisje spektakolare nga burgu, përfshirë një arratisje nga burgu në Belgjikë. Pas arrestimit të tij në Ekuador, ai u bë një nga kriminelët më të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare.