Të mërkurën me datë 15 janar në orën 10:00 do të zhvillohet një protestë para Kryeministrisë nga pensionistët. Kjo protestë është e udhëhequr nga “Lëvizja Bashkë”, nga Arlind Qori, i cili ka paralajmëruar protestën për të kërkuar të drejtat e munguara të pensionistëve.
“PROTESTË PËR PENSIONE DINJITOZE DHE DREJTËSI SHOQËRORE
Qeveria nuk mund të tallet më me pensionistët. Lëmosha e quajtur bonus mezi del për të mbushur barkun një muaj në vit. Çdo muaj tjetër pensionistët shqiptarë marrin pensione më të ulëta se minimumi jetik dhe përjetojnë çdo ditë degradimin e shërbimeve publike.
Në Shqipërinë e sotme nuk pësojnë padrejtësi vetëm pensionistët. Nga korrupsioni i pushtetarëve dhe grykësia e oligarkëve vuan një shoqëri e tërë. Punëtorët paguhen si mos më keq dhe nuk u respektohen të drejtat në punë. Klasa e mesme nuk vlerësohet. Bizneset e vogla janë në zgrip të falimentit. Ndërkohë që rinia nuk sheh dritë shprese në këtë sistem të korruptuar ku gjithçka është uzurpuar nga pak vetë.
Për të dalë nga kjo lëngatë sociale duhet të bashkohemi dhe të ngremë zërin së bashku.
Lëvizja BASHKË dhe grupimi Pensionistët Bashkë ju ftojnë të mërkurën në orën 10:00 në protestë përpara kryeministrisë.
Bashkë jemi të fuqishëm!”, shkruan Lëvizja Bashkë.