-sidi education-spot_img
2.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: 14 ditë nëpër Kosovë (dhe një ditë në Shkup)

Kryesoret

Ekziston Kosova (dhe Ballkani) përtej mediave sociale. Kjo nuk është risi, por, megjithatë, duhet rikujtuar me rrëfime nga jeta e përditshme. Shënime nga Rogova e Hasit, Novobërda, Budriga e Poshtme (dhe Shkupi)

1.

“Rreth botës për 80 ditë” titullohet romani i famshëm i shkrimtarit francez Jules Verne. Amerikani Phileas Fogg vë bast me shokët e tij: nëse nuk arrin të udhëtojë rreth e rrotull botës brenda 80 ditësh, atëherë do të jetë i gatshëm ta humbë pasurinë e tij. Mesazhi më i thellë i romanit është ky: të guximshmit i ndihmon fati. Fogg e përfundon misionin e tij me sukses. Në fund të shekullit të 19-të kjo u bë e mundur falë zhvillimit të teknikës. Kombinimi mes vullnetit të njeriut dhe përparësive të teknikës e katapultoi Phileas Fogg-un nga Evropa në Azi dhe nga atje prapë në Europë. Në shekullin e 21-të botës mund t’i sillesh brenda pak orësh, me avion. Për ata që kanë më pak ambicie: nga Zürichu në Prishtinë avioni i kompanisë ajrore zvicerane Edelweiss të sjell nga Kloteni (fshat ku gjendet aeroporti i Zürich-ut) në Sllatinë (fshat ku gjendet aeroporti i Prishtinës) për më pak se dy orë.

2.

Në Prishtinë vizitorët i pret mjegulla dhe ajri i ndotur dhe i mirëpret një atmosferë e mirë me muzikë, shumë të qeshura e jo pak pije alkoolike për popullin “93-përqind-mysliman”. Spektakli zhvillohet në Sheshin George W. Bush, para Katedrales së Prishtinës. Aty është edhe Ibrahim Rugova, i vendosur në oborrin e Katedrales, i praruar me ngjyrë alltëni. Një përmendore e keqe dhe një tentim i dobët për të nderuar një njeri, një studiues dhe një politikan të rëndësishëm të Kosovës. Rugova para Katedrales duket si anëtar i ndonjë bendi muzikor që në vitet 70-të apo 80-të këndonte nëpër restorante afër pompave të benzinës “INA” apo “Jugopetrol”. Kur dinjitarët fetarë e humbin rrugën, merren me politikë, sfidojnë ligjet dhe rendin urban. Kësisoj, një figurë nacionale shqiptare reduktohet në “bari të grigjës” dhe “aktivist fetar” (që s’ka qenë kurrë). Mungojnë në oborrin e Katedrales vetëm edhe qengjat që Bashkësia Islame i blen për Bajram të Vogël për të bërë pak biznes. Do të ishte një bashkim mentalitetesh të njëjta me ambicie tyxharie ku përzihen pak citate Kurani e Bible dhe shumë euro. Këso absurdi as Samuel Beckettit s’do t’i kishte rënë ndërmend të shkruajë dhe vë në skenë. Së paku Anton Çetta pati pasardhës të denjë që e mbrojtën nga keqpërdorimi i figurës së tij, e cila ka vend në zemrën e çdo shqiptari: ata nuk lejuan vendosjen e përmendores së Anton Çettës në oborrin e Katedrales.

3.

Ndërsa Prishtina festonte në prag të Vitit të Ri, qytetet e tjera të Kosovës (e sidomos ato të Anamoravës) shpesh i mbulonte terri. Nuk ka rrymë. Fajet i ka qeveria, thonë kritikët kujdestarë. Fajet i kanë qeveritë e kaluara, përgjigjen pushtetarët, duke përmendur shitjen e rrjetit për pak milionë. Nuk ka një debat serioz se si të zgjidhet ky problem i madh i Kosovës. Nuk ka një diskutim se çfarë mund të bëhet me rezervat e mëdha të qymyrit me të cilat disponon Kosova. Nuk ka ide bindëse për investime të mëdha në fushën energjetike. Nëse një vend nuk ka rrymë, edhe investitori më i keq do të ndalet në gjysmë të rrugës. Nëse pushteti orë e çast alarmon se mund të ketë sulme nga Serbia gjatë festave (pa ofruar ndonjë të dhënë bindëse), atëherë krijohet vetvetiu përshtypja se edhe me çështjet delikate të sigurisë bëhet fushatë elektorale. Siç bëhet fushatë ekstreme nga disa “figura publike” (të vetëquajtura), të cilat e krahasojnë gjendjen në veri të Kosovës me situatën në Kosovë në vitet ‘90 nën pushtimin serb. Tallje më të madhe me vuajtjet e popullit të Kosovës dhe minimizim më skandaloz të krimeve të regjimit të Beogradit nuk ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Gjendja në veri nuk është ideale dhe në perspektivën afatmesme zgjidhje nuk është vetëm prania  e policisë. Zgjidhje është dialogu ndëretnik dhe kalimi i pushtetit lokal në duart e politikanëve të popullsisë që është shumicë në atë pjesë të vendit.

4.

Në Kosovë gati asnjë punë nuk kryhet pa veturë. Nga qyteti në qytet shkohet – me veturë. Nga lagjja në lagje brenda qytetit shkohet – me veturë. Rrugët e Kosovës janë shpeshherë të mbingarkuara. Kjo mund të përjetohet (nëse kjo është fjala e duhur) në autobusin nga Prishtina në Gjakovë, e cila (ashtu si Peja) kanë mbetur zorrë qorre në kuptimin e infrastrukturës rrugore (siç ka mbetur edhe Gjilani dhe krejt Anamorava). Rruga 80-kilometërshe nga Prishtina në Gjakovë (së paku më 28 dhjetor) u kalua për dy orë e gjysmë (për shkak të kolonave të gjata). Sa për krahasim: treni nga Berni në Zürich i kalon pothuaj 100 kilometra hekurudhë për vetëm 56 minuta. 80 kilometrat mes Prishtinës dhe Gjakovës treni i shpejtë do t’i kalonte për rreth 40 minuta. Durimi në autobus ia vlejti: mbrëmja vazhdoi në Rogovë të Hasit, rrethuar me njerëz të mirë dhe këngë të mira. Derisa polarizimi, sharjet, klithmat e britmat e politikës dhe “mediokracisë” kosovare prekin kupën e qiellit, ishte impresive të shihje anëtarë apo simpatizantë partish të ndryshme të tubuar në kafehanen e katundit, duke kënduar të gjithë së bashku këngë të bukura shqiptare dhe duke e ngacmuar njëri-tjetrin pa sherr, pa dashakeqësi.

5.

Është shkruar, hulumtuar e raportuar mjaft për ndërtimet ilegale apo gjysmë-legale në Brezovicë. Një Brezovicë tjetër e Kosovës fshihet në shpinën e fshatit Llabjan, rrugës për në Gjilan. Mes komunës së Novobërdës (Neuberg, siç i kanë thënë gjermanët, Artanë siç e quajnë shqiptarët së fundi) dhe komunës së Gjilanit kanë gufuar mijëra vila e dhjetëra fshatra “turistike”, shumica ndërtime pa kriter, të vendosura si gurë të legos pas lojës së fëmijëve zevzekë. Kjo është njëra anë. Ana tjetër: aty-këtu ka vërtet shtëpi të bukura (për aq sa mund të vlerësohen nga pamja e jashtme) dhe restorante të mira, po i veçoj dy: Acorn (investim i një shqiptari nga Zürichu, të cilin e njihja pak nga Zvicra dhe nuk dija për investimin e tij) dhe Lura Agroturizëm. Sigurisht ka edhe lokale të tjera që ia vlen të vizitohen, dhe ky është edhe qëllimi që po i përmend: përkrahja e bizneseve vendore. Këta njerëz kanë pasur një ide, pastaj kanë investuar dhe kanë rrezikuar, kanë hapur vende të punës dhe kësisoj mbajnë edhe shumë familje. Ky është kontributi më i madh patriotik sot: zhvillimi i biznesit parandalon ikjen e njerëzve në Gjermani e gjetiu. Për Novobërdën kaq: para 700 vjetësh ishte metropol xehetarie me reputacion ndërkombëtar. Nga minierat që gjenden 30 kilometra larg Prishtinës nxirreshin çdo vit 6 tonelata argjend. Xehetarët vinin edhe nga rajonet gjermanishtfolëse. Fjala xehe rrjedh nga gjermanishtja: Zeche.

6.

Shikimi nga dritarja në mëngjesin e 1 janarit 2025 nuk është premtues. Trevën e ka mbështjellë mjegulla, tokën e ka mbuluar bryma, ajri i acartë është përzier me pluhurin e fishekzjarrëve. Ideja më e mirë duket t’i dorëzohesh me dashamirësi stufës së ndezur.

Por ka edhe një ide më të mirë: të shkosh nga Gjilani në fshatin Budrigë e Poshtme, të banuar me pjesëtarë të komunitetit serb. Mercedesi gati 40-vjeçar i dajës tim rreth 80-vjeçar punonte si orë zvicerane, përfshirë ngrohjen. Duheshin katër sy, një ecje e ngadalshme dhe përqendrim maksimal për të depërtuar nëpër mjegullën e dendur. Dikur u shfaq tabela që tregonte rrugën për në fshatin Zhegër. Para Zhegrës është Budriga e Poshtme. Shtëpia e Gradimirit, të cilit daja im i thoshte Dragomir, gjendet te një sokak në hyrje të të cilit qëndronte një pasqyrë e montuar në shtyllën elektrike. Kjo është mënyra origjinale e orientimit ballkanik: pasqyra në shtyllën elektrike – aty duhet të kthehesh. Gradimiri, emri i të cilit në shqip domethënë ndërtues i paqes, është bujk i vyer, është shitës i turshive, i rakisë dhe prodhimeve të tjera që burojnë nga toka pjellore e Kosovës. Prej vitesh disa nga këta shitës i shoh në Gjilan, në atë që të gjithë e quajnë “Rruga e Prishtinës”. Vendosin disa shishe me rasoj në trotuar, kavanozë me ajvar, vezë fshati dhe turshi, serbët i thonë “zimnica”, me një fjalë ata i përthekojnë krejt llojet e turshive që hahen gjatë dimrit. Nuk e di sa prodhime arrijnë të shesin këta njerëz kur vijnë në Gjilan nga fshatrat e banuara me serbë të Anamoravës.

Një gjë është e sigurt: hallet e tyre janë të ngjashme me ato të shqiptarëve. Standardi jetësor është i ulët ose shumë i ulët. E ardhmja e fëmijëve jo aq shndritëse. Në nivelin lokal, në raportet ndërnjerëzore, politika e lartë është larg. Janë larg politikanët shqiptarë të Prishtinës, të cilët s’përtojnë të tregojnë muskujt edhe kur është totalisht e panevojshme, shumë më larg janë politikanët e Beogradit, të cilët serbët e Kosovës i përdorin e keqpërdorin për kusuritje të brendshme politike.

Nuk është lehtë të jesh pakicë në Ballkan. Vëmendja publike e shumicës nuk është e orientuar nga pakicat dhe shqetësimet e tyre, shpeshherë legjitime. Në rastin e shqiptarëve të Kosovës indiferenca ndaj pothuaj çdo serbi të Kosovës është edhe pasojë e refuzimit të pushtetit në Serbi për t’u pajtuar, qoftë edhe tërthorazi, me shtetësinë e Kosovës. Por kjo është vetëm një pjesë e shpjegimit. Në detin e madh të shumicës shqiptare (mbi 95 për qind) serbët dhe pakicat e tjera janë gati të padukshme.
A mund të bëhen pak më të dukshëm serbët e Kosovës? Për këtë duhen politikanë shqiptarë të pakompleksuar ndaj tjetërsisë së tjetrit, i cili del të jetë mjaft i ngjashëm kur i krahason hallet e përditshme. Duhet të ketë edhe liderë politikë të serbëve të Kosovës që emancipohen nga agjendat manipuluese të pushtetit aktual në Beograd.

Pashë se në Gjilan ditëve të fundit është zhvilluar një festival i humorit (“Stand-Up Comedy”) dhe befas më shkrepi nga mendja kjo pyetje: a ka ndonjë humorist serb në Anamoravë? Pse të mos pritet edhe ai në skenën e Teatrit të Gjilanit? Athua një ftesë e tillë potenciale do t’i rrezikonte organizatorët, të cilët nga patriotët kujdestarë do të akuzoheshin se po “bashkëpunojnë me serbë”?

Atë që nuk e bën politika, atë që nuk e bën kultura apo shoqëria civile, e bëjnë njerëzit e rëndomtë me ato pak mundësi që kanë. Gradimiri nga Budriga e Poshtme, kur e kuptoi se jetoj në Zürich, më tregoi se turshitë e tij po shiten edhe atje larg, në Zvicër. Si është e mundur kjo? – e pyeta. E njoh njërin në Kamenicë, tha Gradimiri, ai po i merr turshitë e mia dhe po i dërgon për shitje në Zvicër. Gradimiri dukej i kënaqur me këtë biznes. Ndoshta partneri i tij i biznesit nga Kamenica është shqiptar, ndoshta serb (ka pak gjasa), por Gradimiri nuk bëri asnjë ndërlidhje mes etnisë dhe turshive. Mua, ndërkaq, m’u duk krejt e pavend ta pyes: a është eksportuesi i turshive në Zvicër shqiptar apo serb? Sepse turshitë janë turshi, s’kanë etni.

Nganjëherë edhe kanë: në garën mes popujve të Ballkanit se kush po i bën budallallëqet më të mëdha, shpesh prijnë serbët. Më kujtohen, për shembull, titujt e mediave të Beogradit të para disa vjetëve: “Domate shqiptare në sallatën serbe“, “Çdo domate e dytë në sallatë është shqiptare“, “Domate nga Shqipëria në mes të Beogradit“, “Në tryezat serbe domate shqiptare“. Toni i këtyre titujve ishte kërcënues: kujdes se domatet shqiptare kanë hyrë në sallatën serbe, ky na qenkësh rrezik i madh! Domatet mund të rriten në tokën e Shqipërisë dhe pastaj eksportohen në Serbi, por nuk ka domate shqiptare në kuptimin etnik, siç nuk ka borë serbe që mbulon malet serbe. Domatja është bimë dhe njihet me emrin latin: Solanum lycopersicum.

Turshi nuk blemë në Budrigë të Poshtme, sepse transporti i tyre me avion në Zvicër është delikat (përfshirë gozhdimin me anekdota epike në stilin “mërgimtari dhe turshitë”), por një shishe raki, e pjekur nga Gradimiri, do të shkojë në Zürich si dhuratë për miq zviceranë. Ndoshta bëhen dy.
Hajde të premten (3.1.) në Graçanicë, deri atë ditë do e gjej edhe një shishe me raki ftoi, tha Gradimiri. Njohësit e pjekjes së rakisë thonë se rakia e ftoit nuk gjendet kudo, se duhen shumë kilogramë ftonj për ta nxjerr një litër, se shpeshherë rakia që shitet si e ftoit e ka vetëm aromën e këtij fruti të verdhë e me gunga. Të premteve Gradimiri vjen me veturën e tij nga Budriga e Poshtme në Graçanicë me shpresën se do të shesë diçka nga prodhimet e tij. Natyrisht kur erdhi e premtja, Gradimiri e mbajti premtimin.

7.

Nuk e di njeriu çka është kiçi, sentimentaliteti, shundi e pseudo-neoklasicizmi pa e parë (për të satën herë) Shkupin e dizajnuar nga qeveria e Nikolla Gruevskit të partisë VMRO/DPMNE. Në gjithë këtë rrëmujë arkitektonike gëlon një mizëri përmendoresh. Heronj prej bronzi (apo ndonjë materiali të lirë) qëndrojnë në rresht, gatitu, ulur pranë tavolinave, në piedestal apo mbi kalë – duket se të gjithë janë të shqetësuar, jo për fatin e Maqedonisë së Veriut, por për megalomaninë urbane. Dallova në këtë pyll përmendoresh edhe dy shqiptarë: Adem Gajtanin, poet i lindur në Podujevë, i vdekur në Shkup, dhe Nexhat Agollin, politikan i shqiptarëve të Maqedonisë, i cili u eliminua pas Luftës së Dytë Botërore. (Ndoshta ka edhe përmendore të tjera shqiptarësh në qendër të Shkupit, disa s’kishin emra).
Sa i përket shqiptarëve: aktual në këtë vend është debati mbi gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj. Disa nga pushtetarët e rinj shqiptarë thonë: gjuha shqipe nuk është zyrtare (ndonëse në qeveri ka ministra shqiptarë, të cilët kur, më 2018, qe miratuar ligji – ndonëse i mangët – për përdorimin e gjuhës shqipe, e patën lavdëruar atë). Opozitarët nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ngulin këmbë se gjuha shqipe është zyrtarizuar dhe tani rrezikohet nga pushteti i ri i dominuar nga VMRO/DPMNE. Kush ka të drejtë? Ligji nuk ishte i përsosur, por ishte një hap përpara. Nëse prishet ky ligj, pa ndonjë plan se si do të rregullohet në të ardhmen përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, atëherë shqipja mund të degradohet në këtë vend. Sepse nga VMRO/DPMNE, e cila përkundër plot e përplot skandaleve, në zgjedhjet e fundit u amnistua gati plotësisht nga elektorati maqedonas, nuk mund të pritet progres sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimet zyrtare. Ideale gjendja nuk ka qenë as pas miratimit të ligjit më 2018: për të shmangur përmendjen e gjuhës shqipe, ligji saktësonte se gjuhë zyrtare është gjuha e komunitetit mbi 20 për qind (ishte e qartë se bëhej fjalë për shqiptarët). Në thelb të refuzimit të përmendjes së shqipes qëndron ende bacili i racizmit antishqiptar të një pjese të madhe të elektoratit dhe elitës politike maqedonase. Partitë shqiptare pjesëmarrëse në qeveritë maqedonase në tri dekadat e fundit shpesh kanë bërë kompromise të kalbura – dhe si shpërblim kanë vazhduar të qëndrojnë në pushtet (përfshirë edhe pjesëmarrjen në korrje-shirjet e korrupsionit). Jo për t’i shfajësuar partitë shqiptare, por ky adet i keq i tyre i korrupsionit duket si mbledhje e troshave nën sofër në krahasim me ndarjen e resurseve mes grupeve të interesit të maqedonasve. Para pak ditësh mediat maqedonase publikuan një video ku shihej ish-shefi i shërbimit sekret Sasho Mijalkov duke dalë nga një veturë “Ferrari” në Monte Carlo dhe duke hyrë në hotelin “Le Louis XV”, ku bujtja për një natë kushton nga 1000 deri 1500 euro. Mijalkov është “produkt” i sistemit që është ndërtuar në Shkup në dekadat e fundit – shpesh me pjesëmarrjen edhe të partive politike shqiptare. Përçarja mes kampit politik shqiptar ia ka lehtësuar lojën VMRO/DPMNE-së. Grumbulli i partive shqiptare që tani marrin pjesë në qeveri është heterogjen, andaj interes parësor ka qëndrimin në pushtet (kjo dëshirë i mban bashkë) dhe pjesëmarrjen në ndonjë dasmë a aheng në Kosovë. Shumica e ministrave lënë përshtypjen e të nënshtruarve ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili duket si një karikaturë e presidentit popullist serb.

Të kthehemi te gjuha shqipe: ajo ruhet edhe duke e përdorur shqiptarët në jetën e përditshme. Këtë nuk ua ndalon askush. Në një korridor me dyqane ari e argjendi në qendër të Shkupit shumica e pronarëve janë shqiptarë, por në dyert dhe dritaret e dyqaneve nuk ka asnjë shkronjë shqip, Zefi është Зеф dhe Simoni është Симон. Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit pamjet janë të tjera, problemi është i ngjashëm: shumica e dyqaneve që shesin stoli ari e argjendi janë vetëm “Zlatara”, ndërsa pronarët ashiqare janë shqiptarë, nëse bazohemi në mbiemrat e tyre. As këtyre burrave nuk ua ndalon askush përdorimin e gjuhës shqipe.. KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit