Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ministri i brendshëm Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.
Me anë të kësaj marrëveshje do të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Çdo qytetar shqiptar që jeton jashtë nuk do ti duhet më 30 ditë për tu pajisur me pasaportë por vetëm 15 ditë.
“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë i bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, tha Hoxha.