Ambasadori italian Fabrizio Bucci ka mbyllur misionin e tij 5-vjeçar në Shqipëri. Bucci në një intervistë ka thënë se gjatë këtyre viteve janë bërë gjëra pozitive në fushën tregtare, ekonomike, kulturore apo në luftën kundër krimit e korrupsionit.
“Kanë qenë 5 vite të mrekullueshme e fantastike. Po, pak si malet ruse, me ulje dhe ngritje, por gjëja që them gjithmonë është se këtu në Shqipëri në 5 vjet nuk kam kaluar as edhe një ditë të vetme mërzie. Kemi bërë shumë gjëra, nga pikëpamja e marrëdhënieve tregtare, marrëdhënieve ekonomike, marrëdhënieve kulturore, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Bucci.
Ai e ka cilësuar Shqipërinë si shtëpinë e tij të dytë dhe do ti mungojë shumë.
“Është edhe shtëpia ime, sepse një ditë unë do të kthehem përsëri! Gjithçka e kam bërë me zemër dhe ndër shumë gjëra që kemi bërë, dua të kujtoj marrëveshjen për pensionet, që u ka dhënë atë që u takonte qindra e mijëra shqiptarëve që kanë punuar dhe derdhur kontributet e tyre në Itali”, përfundoi ambasadori italian.