Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta i cili ndodhet në burgun 313 ka reaguar në lidhje me Masakrën e Reçakut.
Meta thekson se me këtë ditë Kosova kujton se nuk do të jetë kurrë “tokë e askujt” por e Isa Boletinit, Adem Jashariot dhe heronjve e martirëve. Ai shprehet se Kosova në pak vite është shndërruar në një shtet i pavarur dhe sovran.
“Nderim përjetë, me përulje dhe respekt, kujtimit të paharruar të 45 martirëve të Masakrës së Reçakut, mizorisë së kryer në zemër të Europës nga xhelati i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç!
Ky krim i tmerrshëm kundër njerëzimit, siç me të drejtë e përkufizoi Ambasadori Walker, i tregoi mbarë botës të vërtetën e mizorive dhe gjenocidit kriminal në Kosovë.
Në këtë ditë të kujtimit të sakrificave të shenjta të popullit të Kosovës është e rëndësishme të theksohet se Kosova kurrë nuk do jetë “tokë e askujt”, por përherë toka e Isa Boletinit, e Adem Jasharit dhe e të gjithë heronjve dhe martirëve, të cilët e kanë larë me gjakun e tyre atë tokë.
Mbi atë gjak u ndërtuan themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, që në pak vite është shndërruar model në rajon për bashkëjetesën ndëretnike, si edhe të demokracisë funksionale në rritje, shembull që besoj se do të jepet edhe në zgjedhjet e afërta parlamentare atje.
Gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë! LAVDI!”, shkruan Meta.