Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj dy komentuesve në Facebook, të cilët kritikonin marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me vendet arabe dhe mungesën e investimeve perëndimore.
Rama theksoi se shumica e investimeve të huaja në Shqipëri vijnë nga SHBA dhe Europa, ndërsa përmendi një investim të madh të SHBA-së në sektorin e energjisë. Ai sqaroi se, përveç forcimit të marrëdhënieve me vendet arabe, Shqipëria ka arritur të avancojë dhe marrëdhëniet me Perëndimin, përfshirë financime të shumta nga Europa dhe Amerika.
Rama: Sa u ktheva dhe po lexoja komentet tuaja. “Rama ka mbetur veç me arabë, pse nuk bën biznes me Europën dhe Amerikën’- thotë Simoni. ‘Ta kthej unë përgjigjen- i thotë Fatosi, se nuk duan vëlla, se nuk kanë interes’. Nuk e di për kë e ka Fatosi, për ne apo për Amerikën, siç pyet Simoni. Por për këdo ta ketë nuk ka diçka përtej të vërtetës, ku ishim mes arabëve dhe italianeve, dhe Italia është në Europë, apo jo Simon? Apo jo Fatos?
E dini sa biznes bëjnë investitorët e huaj në Shqipëri në vit?, Mbi 1 miliardë euro dhe shumica dërmuese vijnë nga Europa dhe Amerika. Po ne qeveria, sa e sa projekte bëjmë me? Me financime të huaja. E dini se nga vijnë? Nga Europa thuajse të gjitha dhe para pak ditësh qeveria amerikane na njoftoi se ka përzgjedhur Shqipërinë në një financim të madh në fushën e energjisë. Kjo është e vërteta. Po është ashtu e vërtetë, i dashur Simon, se siç kemi çuar në një tjetër nivel marrëdhëniet me Europën dh Amerikën, i kemi forcuar shumë marrëdhënie me vendet Arabe, sidomos me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Po afrohemi ndjeshëm edhe me Katarin. Është një marrëdhënie pozitive një potencial të jashtëzakonshëm dhe krejt të pashfrytëzuar në të kaluarën. Ndërkohë që përparimet e këtyre vendeve janë kolosale në çdo aspekt. Prandaj, faleminderit që u bëtë sebep në këtë shkëmbim në Sy m’sy për këtë temë dhe vazhdoni të më ndiqni.